Neni 140 - Njoftimi i të pandehurit të lirë

1. Njoftimi i të pandehurit në gjendje të lirë bëhet duke i dorëzuar atij kopjen e aktit. Kur nuk mund t’i dorëzohet personalisht, njoftimi bëhet në banesën e tij ose në vendin e punës, duke ia dorëzuar aktin një personi që bashkëjeton me të ose një fqinji, ose një personi që punon me të.

2. Kur vendet e treguara në paragrafin 1 nuk dihen, njoftimi bëhet në vendin ku i pandehuri ka banimin e përkohshëm ose vendin ku qëndron më shpesh, duke ia dorëzuar atë njërit prej personave të treguar në paragrafin 1.
3. Kopja e njoftimit nuk mund t’i dorëzohet një të mituri nën 14 vjeç ose një personi me paaftësi të dukshme intelektuale.
4. Kur personat e treguar në paragrafin 1 mungojnë ose nuk janë të përshtatshëm, ose refuzojnë të marrin aktin atëherë procedohet me kërkimin e të pandehurit në vende të tjera. Në rast se edhe në këtë mënyrë nuk mund të bëhet njoftimi, akti depozitohet në qendrën administrative të lagjes ose të fshatit ku i pandehuri banon ose punon. Lajmërimi i depozitimit afishohet në portën e shtëpisë së të pandehurit ose të vendit ku punon. Ftuesi gjyqësor e lajmëron
atë për depozitimin me letër rekomande me lajmërim marrje. Efektet e njoftimit rrjedhin që nga marrja e rekomandesë.
5. Njoftimi i të pandehurit që kryen shërbimin ushtarak bëhet duke i dorëzuar aktin atij vetë dhe kur nuk mund të bëhet dorëzimi, akti i njoftohet komandës e cila detyrohet të lajmërojë menjëherë të interesuarin.
6. I pandehur është i detyruar të njoftojë autoritetin procedues për çdo ndryshim të banesës të deklaruar ose të zgjedhur me telegram ose me letër rekomande.

______________________________________________

Vendimet nr.9, datë 22.2.2001; nr.17, datë 4.4.2001 dhe nr.23, datë 23.4.2001 të Gjykatës Kushtetuese
Në vendimin nr.9, datë 22.2.2001, Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar: “Gjykata e apelit dhe gjykata e rrethit kanë zhvilluar një proces jo të rregullt gjyqësor. Gjykimet janë zhvilluar pa njohur të pandehurin ose avokatin e tij, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës
Penale … Ndërsa prokuroria ka paraqitur ankim, kopja e këtij ankimi nuk i është dërguar kërkuesit sipas mënyrës dhe vendit të parashikuar në nenin 140 të Kodit të Procedurës Penale për të pandehurin e lirë. Për më tepër gjykata e apelit nuk ka caktuar as mbrojtës kryesisht, por ka dëgjuar vetëm prokurorin…”