Neni 141 - Njoftimi i të pandehurit kur nuk gjendet

1. Kur njoftimi nuk mund të bëhet sipas rregullave të caktuara për njoftimin e të pandehurit të lirë, autoriteti procedues urdhëron kërkimin e të pandehurit. Në qoftë se kërkimi nuk jep rezultat pozitiv, atëherë nxirret vendimi i mosgjetjes, me të cilin, pasi i caktohet një mbrojtës të pandehurit, urdhërohet që njoftimi të bëhet duke i dorëzuar një kopje mbrojtësit. I pagjeturi përfaqësohet nga mbrojtësi.

2. Vendimi i mosgjetjes i pushon efektet kur përfundojnë hetimet paraprake ose me dhënien e vendimit nga gjykata.

3. Njoftimi për të pandehurin e fshehur ose të arratisur bëhet nëpërmjet dorëzimit të kopjes së aktit mbrojtësit dhe kur ai nuk ka mbrojtës autoriteti procedues cakton një mbrojtës kryesisht, i cili e përfaqëson të pandehurin.

Vendimi nr. 31, datë 14.7.1998 i Gjykatës Kushtetuese
“Në mbrojtje të të drejtave të të pandehurit si në prani, ashtu edhe në mungesë të tij, prokurori, gjyqtari dhe mbrojtësi kanë një seri detyrimesh ligjore. Hetimi dhe gjykimi në mungesë i personave që kanë kryer vepra penale, bëhet vetëm pasi t’u jetë caktuar mbrojtës dhe ka për qëllim realizimin e detyrës madhore që kanë organet e drejtësisë në fushën penale.”