SEKSIONI I - DËSHMIA

  • Neni 153 - Objekti dhe kufijtë e dëshmisë
  • 1. Dëshmitari pyetet për faktet që përbëjnë objekt prove. Ai nuk mund të dëshmojë për qëndrimin moral të të pandehurit, përveçse kur çështja lidhet me fakte që vlejnë për përcaktimin e personalitetit të tij në lidhje me veprën penale dhe me rrezikshmërinë shoqërore.

    2. Pyetja e dëshmitarit mund të shtrihet edhe në marrëdhëniet e farefisnisë dhe të interesave që ekzistojnë ndërmjet dëshmitarit dhe palëve apo dëshmitarëve të tjerë, si dhe mbi rrethanat, vërtetimi i të cilave është i nevojshëm për vlerësimin e besueshmërisë së tij. Dëshmia mbi faktet që shërbejnë për të përcaktuar personalitetin e të dëmtuarit nga vepra penale pranohet vetëm kur akuza e të pandehurit duhet të çmohet në raport me sjelljen e të dëmtuarit.

    3. Dëshmitari pyetet për fakte të caktuara. Ai nuk mund të dëshmojë për çka flitet në publik dhe as të shprehë vlerësime personale, me përjashtim të rasteve kur ato nuk mund të ndahen nga dëshmia për faktet.

  • Neni 154 - Dëshmia indirekte
  • 1. Kur dëshmitari, për njohjen e fakteve, u referohet personave të tjerë, gjykata, me kërkesën e palës ose edhe kryesisht urdhëron që këta të thirren për të dëshmuar.

    2. Mosrespektimi i dispozitës së paragrafit 1 i bën të papërdorshme thëniet mbi faktet, të cilat dëshmitari i ka mësuar nga persona të tjerë, me përjashtim të rasteve kur pyetja e tyre është e pamundur për shkak se kanë vdekur, janë të sëmurë rëndë ose nuk gjenden.

    3. Dëshmitari nuk mund të pyetet për fakte që i ka mësuar nga personat që janë të detyruar të ruajnë sekretin profesional ose shtetëror, me përjashtim të rasteve kur këta persona kanë deklaruar për të njëjtat fakte ose i kanë përhapur ato me ndonjë mënyrë tjetër.

    4. Nuk mund të përdoret dëshmia e atij që refuzon ose që nuk është në gjendje të tregojë personin ose burimin nga të cilët ka marrë dijeni për faktet që pyetet.

  • Neni 155 - Zotësia për të dëshmuar
  • 1. Çdo person ka zotësi për të dëshmuar, me përjashtim të atyre që për shkak të të metave mendore ose fizike nuk janë në gjendje të dëshmojnë.

    2. Kur për vlerësimin e thënieve është i nevojshëm verifikimi i aftësive fizike ose mendore për të bërë dëshmi, gjykata edhe kryesisht mund të urdhërojë verifikimet përkatëse.

  • Neni 156 - Papajtueshmëria me detyrën e dëshmitarit
  • 1. Nuk mund të pyeten si dëshmitarë:
    a) personat që, për shkak të metash fizike ose psikike, nuk janë në gjendje të bëjnë dëshmi të rregullt;
    b) të pandehurit në një vepër penale të përbashkët ose në një procedim të lidhur edhe kur ndaj tyre është dhënë vendimi i mosfillimit të çështjes, i pafajësisë ose i dënimit, me përjashtim të rasteve kur vendimi i pafajësisë ka marrë formë të prerë;
    c) ata që në të njëjtin procedim kryejnë ose kanë kryer funksionin e gjyqtarit ose të prokurorit;
    ç) i padituri civil.

  • Neni 157 - Detyrimet e dëshmitarit
  • 1. Dëshmitari është i detyruar të paraqitet në gjykatë, t’u përmbahet urdhrave të saj dhe t’u përgjigjet me vërtetësi pyetjeve që i bëhen.

    2. Dëshmitari nuk mund të detyrohet të dëshmojë për fakte, nga të cilat mund të lindte përgjegjësia penale për të.

  • Neni 158 - Përjashtimet nga detyrimi për të dëshmuar
  • (Ndryshuar pika “a” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Nuk janë të detyruar të dëshmojnë:
    a) gjinia ose krushqia e afërt e të pandehurit, sipas përcaktimeve të nenit 16, me përjashtim të rasteve kur kanë bërë kallëzim ose ankim ose kur ata apo një i afërm i tyre janë të dëmtuar nga vepra penale;
    b) bashkëshorti për faktet e mësuara nga i pandehuri gjatë jetës bashkëshortore;
    c) bashkëshorti i ndarë nga i pandehuri;
    ç) ai që edhe pse nuk është bashkëshort i të pandehurit, bashkëjeton ose ka bashkëjetuar me të;
    d) ai që është i lidhur me të pandehurin me marrëdhënie birësimi.

    2. Gjykata u bën të njohur personave të mësipërm të drejtën për të mos dëshmuar dhe i pyet ata nëse duan të përfitojnë nga kjo e drejtë. Mosrespektimi i këtij rregulli e bën të pavlefshme dëshminë.

  • Neni 159 - Ruajtja e sekretit profesional
  • 1. Nuk mund të detyrohen të dëshmojnë për sa dinë për shkak të profesionit, me përjashtim të rasteve kur kanë detyrimin që t’ua referojnë autoriteteve proceduese:
    a) përfaqësuesit e besimeve fetare, statutet e të cilëve nuk janë në kundërshtim me rendin juridik shqiptar;
    b) avokatët, përfaqësuesit ligjorë dhe noterët;
    c) mjekët, kirurgët, farmacistët, obstetrët dhe kushdo që ushtron një profesion shëndetësor;
    ç) ata që ushtrojnë profesione të tjera, të cilëve ligji u njeh të drejtën të mos dëshmojnë për ato që lidhen me sekretin profesional.

    2. Gjykata, kur ka arsye të dyshojë se pretendimi i bërë nga këta persona për t’iu shmangur dëshmisë nuk ka baza, urdhëron verifikimet e nevojshme. Kur ai rezulton pa baza, gjykata urdhëron që dëshmitari të deponojë.

    3. Dispozitat e parashikuara nga paragrafi 1 dhe 2 zbatohen edhe për gazetarët profesionistë lidhur me emrat e personave nga të cilët ata kanë marrë të dhëna gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Por, kur të dhënat janë të domosdoshme për të provuar veprën penale dhe vërtetësia e këtyre të dhënave mund të dalë vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit, gjykata urdhëron gazetarin që të tregojë burimin e informacionit të tij.

  • Neni 160 - Ruajtja e sekretit shtetëror
  • 1. Nëpunësit shtetërorë, nëpunësit publikë dhe të ngarkuarit me një shërbim publik janë të detyruar të mos dëshmojnë për faktet që janë sekret shtetëror.

    2. Kur dëshmitari pretendon se fakti përbën sekret shtetëror, organi procedues kërkon konfirmimin me shkrim të organit kompetent shtetëror.

    3. Kur sekreti konfirmohet dhe prova nuk është thelbësore për zgjidhjen e çështjes, dëshmitari nuk pyetet, ndërsa kur prova është thelbësore,organi procedues vendos pezullimin e çështjes derisa të japë përgjigje organi më i lartë i administratës shtetërore. Pas kësaj dëshmitari detyrohet të dëshmojë.

    4. Kur tridhjetë ditë nga njoftimi i kërkesës, organi shtetëror kompetent nuk jep konfirmimin e sekretit, dëshmitarit i kërkohet të dëshmojë.

    5. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore, si dhe personeli i shërbimit informativ nuk mund të detyrohen të tregojnë emrat e informatorëve të tyre. Informacionet e dhëna prej tyre nuk mund të merren dhe as të përdoren në qoftë se këta zyrtarë nuk pyeten si dëshmitarë lidhur me informacionin.

  • Neni 161 - Përjashtimi i sekretit
  • 1. Nuk mund të jenë objekt i sekretit shtetëror të dhënat ose dokumentet që lidhen me veprat penale, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues. Natyra e veprës penale përcaktohet nga organi procedues.

    2. Kur nuk pranohet përjashtimi i sekretit njoftohet organi kompentent shtetëror.

  • Neni 162 - Marrja e dëshmisë së Presidentit të Republikës dhe të nëpunësve të lartë të shtetit
  • 1. Dëshmia e Presidentit të Republikës merret në selinë ku ai ushtron funksionin e Kryetarit të Shtetit.

    2. Kur duhet të merret dëshmia e Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ose Kryetarit të Gjykatës së Lartë, këta mund të kërkojnë të pyeten në selinë ku ushtrojnë detyrën e tyre. Kur gjykata e çmon të domosdoshme paraqitjen e tyre për të kryer një veprim njohjeje ose ballafaqimi, procedohet në format e zakonshme.

  • Neni 163 - Marrja e dëshmisë së nëpunësve diplomatikë
  • 1. Kur duhet të pyetet një nëpunës diplomatik ose një i ngarkuar me mision diplomatik jashtë shtetit, për kohën që ndodhen jashtë territorit të shtetit shqiptar, kërkesa për marrjen në pyetje i transmetohet, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, organit diplomatik ose konsullor shqiptar, përveç rasteve kur çmohet e domosdoshme paraqitja e tyre.

    2. Për marrjen e deponimeve nga nëpunësit diplomatikë të një shteti të huaj të akredituar pranë shtetit shqiptar, respektohen konventat dhe zakonet ndërkombëtare.

  • Neni 164 - Shoqërimi i detyrueshëm
  • 1. Kur dëshmitari, i thirrur rregullisht, nuk paraqitet në vendin, ditën dhe orën e caktuar, pa patur pengesa të ligjshme, gjykata mund të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm.

    2. Personi i shoqëruar me detyrim nuk mund të mbahet në dispozicion tej kohës së nevojshme për praninë e tij dhe sidoqoftë jo më shumë se njëzet e katër orë.

    3. Dispozitat e paragrafëve 1 dhe 2 vlejnë edhe për ekspertin dhe përkthyesin.

  • Neni 165 - Përgjegjësia për dëshmi të rreme ose refuzim për të dëshmuar
  • 1. Kur gjatë pyetjes dëshmitari bën thënie kontradiktore, jo të plota ose që janë në kundërshtim me provat e marra, gjykata ia vë në dukje duke e paralajmëruar për dëshmi të rreme.
    Të njëjtin paralajmërim i bën edhe dëshmitarit që pa të drejtë nuk pranon të dëshmojë.

    2. Kur dëshmitari ngul këmbë në mospranimin për të dëshmuar ose kur del se dëshmitari bën dëshmi të rreme, gjykata i kërkon prokurorit që të procedojë sipas ligjit.