strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI IV - NJOHJET

  • Neni 171 - Njohja e personave
  • 1. Kur lind nevoja për të proceduar në njohjen e një personi, organi procedues fton atë që duhet të bëjë njohjen që të përshkruajë personin duke treguar të gjitha shenjat që mban mend dhe e pyet nëse ka qenë thirrur më parë për të bërë njohjen si dhe për rrethana të tjera që mund të ndikojnë në vërtetësinë e njohjes.

    2. Në procesverbal shënohen veprimet e parashikuara nga paragrafi 1 dhe deklarimet e bëra nga personi që bën njohjen.

    3. Mosrespektimi i dispozitave të parashikuara nga paragrafët 1 dhe 2 është shkak për pavlefshmërinë e njohjes.

  • Neni 172 - Zhvillimi i njohjes
  • 1. Pasi largon atë që duhet të bëjë njohjen, organi procedues siguron praninë e të paktën dy personave sa më të ngjashëm me atë që duhet të njihet. E fton këtë të fundit të zgjedhë vendin e tij në raport me të tjerët duke u kujdesur që të paraqitet, sa të jetë e mundur, në të njëjtat kushte në të cilat do të kishte qenë parë nga personi i thirrur për njohje. Pasi paraqitet personi që do të bëjë njohjen gjykata e pyet nëse njeh ndonjërin nga ata që i paraqiten për njohje dhe, në rast se po, e fton të tregojë se cilin njeh dhe ta saktësojë nëse është i sigurt.

    2. Kur ka arsye të mendohet se personi i thirrur për të bërë njohjen mund të frikësohet ose të ketë ndikime të tjera nga prania e personit që duhet njohur, organi procedues urdhëron që veprimi të kryhet pa e parë ky i fundit të parin.

    3. Në procesverbal shënohen, me pasojë pavlefshmërie, mënyra e zhvillimit të njohjes.

    Organi procedues mund të urdhërojë që zhvillimi i njohjes të dokumentohet edhe me fotografime ose filmime.

  • Neni 173 - Njohja e sendeve
  • 1. Kur duhet proceduar në njohjen e provave materiale ose të sendeve të tjera që lidhen me veprën penale, organi procedues vepron duke respektuar rregullat për njohjen e personave, për aq sa mund të zbatohen.

    2. Pasi gjenden, kur është e mundur, të paktën dy objekte të ngjashme me atë që duhet njohur, organi procedues e pyet personin e thirrur për njohje nëse njeh ndonjërin prej tyre dhe, në rast se po, e fton të deklarojë se cilin ka njohur dhe ta saktësojë nëse është i sigurt,

    3. Në procesverbal shënohen, me pasojë pavlefshmërie, mënyra e zhvillimit të njohjes.

  • Neni 174 - Njohjet e tjera
  • 1. Kur vendos njohjen e zërave, të tingujve ose të çdo gjëje tjetër që mund të jetë objekt perceptimi shqisor, organi procedues vepron duke respektuar dispozitat për njohjen e personave, për aq sa mund të zbatohen.

  • Neni 175 - Njohja nga disa persona ose e disa personave
  • 1. Kur disa persona thirren për të bërë njohjen e të njëjtit person ose të të njëjtit objekt, organi procedues kryen veprime veç e veç duke ndaluar çdo komunikim ndërmjet atij që ka kryer njohjen dhe atyre që duhet ta bëjnë atë më pas.

    2. Kur një person duhet të bëjë njohjen e disa personave ose të disa objekteve, organi procedues urdhëron, që personi ose objekti që duhet njohur të futen ndërmjet personave ose objekteve të ndryshme.

    3. Zbatohen dispozitat e neneve 171, 172 dhe 173.