strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI VI - EKSPERTIMI

  • Neni 178 - Objekti i ekspertimit
  • 1. Ekspertimi lejohet kur është i nevojshëm zhvillimi i kërkimeve ose marrja e të dhënave ose e vlerësimeve që kërkojnë njohuri të posaçme teknike, shkencore ose kulturore.

    2. Nuk lejohen ekspertimet për të përcaktuar profesionizmin në veprën penale, prirjet kriminale, karakterin dhe personalitetin e të pandehurit dhe në përgjithësi cilësitë psikike që nuk varen nga shkaqet patologjike.

  • Neni 179 - Caktimi i ekspertit
  • (Shtuar paragrafi I dhe IV me ligjin nr. 8813, datë 13.6.2002)

    1. Caktimi i ekspertit bëhet duke e zgjedhur atë ndërmjet personave që janë regjistruar në librat e caktuar për këtë qëllim ose ndërmjet atyre që kanë njohuri të posaçme në degën përkatëse. Kur ekspertimi shpallet i pavlefshëm ose duhet të bëhet ekspertim i ri, organi procedues merr masa, kur është e mundshme, që detyra e re t’i besohet një eksperti tjetër.

    2. Vendimi i organit procedues për caktimin e ekspertit i njoftohet të pandehurit ose mbrojtësit të tij, duke i bërë të ditur se ka të drejtë të kërkojë përjashtimin e ekspertit, të propozojë ekspertë të tjerë, të marrë pjesë vetë në ekspertim, kur është e mundur, dhe të parashtrojë pyetje për ekspertin.

    3. Kur kërkimet dhe vlerësimet paraqiten shumë komplekse ose kërkojnë njohuri të ndryshme në disa degë, organi procedues ua ngarkon kryerjen e ekspertimit disa ekspertëve.

    4. Eksperti është i detyruar të kryejë detyrën e tij, me përjashtim të rasteve kur ekziston një nga shkaqet që e përjashtojnë atë nga qenia ekspert ose kur pretendon se nuk është kompetent ose nuk ka mundësi të kryejë ekspertimin dhe kërkesa e tij pranohet nga organi procedues.

  • Neni 180 - Papajtueshmëria me detyrën e ekspertit
  • 1. Nuk mund të kryejë detyrën e ekspertit:
    a) i mituri, ai që ka ndalim ligjor ose i është hequr zotësia juridike për të vepruar ose vuan nga një sëmundje mendore;
    b) ai që është pezulluar, qoftë edhe përkohësisht, nga detyrat publike ose nga ushtrimi i një profesioni;
    c) ai, ndaj të cilit janë marrë masa sigurimi personal;
    ç) ai që nuk mund të pyetet dëshmitar apo të merret përkthyes ose që ka të drejtë të mos bëjë dëshmi ose përkthim.

  • Neni 181 - Përjashtimi i ekspertit
  • 1. Palët mund të kërkojnë përjashtimin e ekspertit në rastet e parashikuara nga ky Kod për përjashtimin e gjyqtarit.

    2. Kur ekziston një shkak përjashtimi, eksperti është i detyruar ta deklarojë.

    3. Deklarimi i shkakut të përjashtimit nga vetë eksperti ose kërkimi i përjashtimit nga palët mund të paraqiten derisa të mos jetë bërë caktimi i detyrës dhe, kur shkaqet kanë lindur aty për aty ose janë njohur më pas, para se eksperti të ketë dhënë mendimin e tij.

    4. Mbi deklarimin e ekspertit për përjashtim ose të kërkesës për përjashtimin e tij vendos, me urdhër, organi procedues që ka caktuar ekspertimin.

  • Neni 182 - Disponimet e organit procedues
  • 1. Organi procedues disponon ekspertimin me vendim të motivuar, i cili përmban caktimin e ekspertit, paraqitjen e përmbledhur të çështjes, tregimin e ditës, të orës dhe të vendit të caktuar për paraqitjen e ekspertit.

    2. Organi procedues urdhëron thirrjen e ekspertit dhe merr masat e nevojshme për paraqitjen e personave që i nënshtrohen ekspertimit.

  • Neni 183 - Caktimi i detyrës
  • 1. Organi procedues, pasi sigurohet për identitetin e ekspertit, e pyet nëse ka shkaqe përjashtimi nga detyra e ekspertit, e paralajmëron për detyrimet e përgjegjësitë e parashikuara nga ligji penal, i formulon kërkesat e ekspertimit dhe e fton të bëjë këtë deklaratë: “I vetëdijshëm për përgjegjësinë morale dhe juridike për detyrën që marr përsipër, do ta kryej atë me ndershmëri e drejtësi dhe do të ruaj sekretin për të gjitha veprimet që lidhen me ekspertimin”.

    2. Shpërblimi i ekspertit caktohet me urdhër të organit që ka disponuar për ekspertimin.

  • Neni 184 - Veprimet e ekspertit
  • (Shtuar pika 4 me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002)

    1. Për t’iu përgjigjur kërkesave të ekspertimit, eksperti mund të autorizohet nga organi procedues që të shohë aktet, dokumentet dhe gjithçka që përfshihet në fashikullin e prokurorit ose të gjykatës.

    2. Eksperti mund të autorizohet të marrë pjesë edhe në pyetjen e palëve dhe marrjen e provave.

    3. Kur eksperti kërkon të dhëna nga i pandehuri, i dëmtuari ose nga persona të tjerë, këto të dhëna përdoren vetëm për qëllimet e ekspertimit.

    4. Kur për nevojat e ekspertimit është i domosdoshëm shkatërrimi ose ndryshimi i thelbit të sendit, kur është e mundur, ekspertët detyrohen të ruajnë atë pjesë të tij, si dhe të dokumentojnë pjesën e përdorur për ekspertim, duke vënë në dijeni organin procedues dhe palët.

  • Neni 185 - Akti i ekspertimit
  • 1. Mendimi i ekspertit jepet me shkrim.

    2. Kur ekspertët e caktuar janë më shumë se një dhe kanë mendime të ndryshme, secili parashtron me akt të veçantë mendimin e tij.

    3. Kur faktet janë komplekse dhe eksperti nuk mund të japë përgjigje menjëherë, organi procedues i jep atij një afat jo më të gjatë se gjashtëdhjetë ditë. Kur ka nevojë për verifikime veçanërisht komplekse ky afat mund të zgjatet edhe më shumë se një herë për periudha jo më të gjata se tridhjetë ditë, por pa kaluar afatin maksimal prej gjashtë muajsh.

  • Neni 186 - Zëvendësimi i ekspertit
  • 1. Eksperti mund të zëvendësohet kur nuk jep mendimin e vet në afatin e caktuar ose kur kërkesa e zgjatjes nuk është pranuar ose kur neglizhon në kryerjen e detyrës.

    2. Vendimi i organit procedues për zëvendësimin jepet pasi dëgjohet eksperti. Eksperti i zëvendësuar mund të dënohet me gjobë deri dhjetë mijë lekë.

    3. Eksperti zëvendësohet edhe kur pranohet kërkesa për përjashtimin e tij.

    4. Eksperti i zëvendësuar detyrohet të dorëzojë në organin procedues dokumentacionin dhe rezultatet e veprimeve të kryera.