Neni 228 - Kushtet për caktimin e masave të sigurimit personal

1. Askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova.

2. Asnjë masë nuk mund të zbatohet kur ka shkaqe padënueshmërie ose të shuarjes së veprës penale.

3. Masat e sigurimit personal vendosen:
a) kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës;
b) kur i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që ai të largohet;
c) kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.

_______________________________________________

Vendimet nr. 489, datë 12.12.2000; nr. 8, datë 19.1.2001 dhe nr. 122 datë 6.9.2001 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

Në vendimin nr.489, datë 12.12.2000, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka arsyetuar: “Në kuptim të nenit 228/1 të Kodit të Procedurës Penale për aplikimin e një mase sigurimi kërkohet vërtet një dyshim i arsyeshëm për kryerjen e një vepre penale, por, nga ana tjetër, ky dyshim i arsyeshëm duhet të mbështetet në prova dhe nuk duhet të jetë i supozuar.”
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka ndryshuar ose prishur vendimet e gjykatave lidhur me vlerësimin e dyshimit të arsyeshëm. Në vendimin nr.122, datë 6.9.2001, Kolegji është shprehur:
“Gjykata, haptazi, në kundërshtim me të dhënat, dokumentet e administruara pranon në vendim se nuk ekzistojnë kushtet ligjore të parashikuara në nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale se nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova… Në ngarkim të të gjithë të pandehurve ekziston dyshimi i arsyeshëmi i bazuar në prova se ata kanë kryer veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike dhe se ndaj tyre duhet të caktohet masa e sigurimit arrest në burg, e kërkuar nga prokurori.”
Në vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nr.8, datë 19.1.2001, i cili ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Fierit për caktimin si masë sigurimi arrest në burg për të pandehurin M.D., arsyetohet: “Si në kërkesën e prokurorit për caktimin e kësaj mase, ashtu edhe në shpjegimet e tij, të pasqyruara në procesverbalin gjyqësor, nuk bëhet fjalë fare për ndonjë dyshim të bazuar se i pandehuri mund t’i shmanget gjykimit apo ekzekutimit të vendimit apo se ai ka rrezik të kryejë ndonjë vepër penale tjetër të rëndë apo të të njëjtit lloj me atë për të cilën është proceduar.”