Neni 244 - Kërkesa për caktimin e masave të sigurimit

(Shtuar pika 3 me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002)

1. Masat e sigurimit vendosen me kërkesën e prokurorit, i cili i paraqet gjykatës kompetente arsyet ku bazohet kërkesa.

2. Edhe kur gjykata deklaron moskompetencën e vet për çdo lloj shkaku, në qoftë se janë kushtet dhe ekziston urgjenca për marrjen e masës ajo vendos marrjen e saj dhe i dërgon aktet gjykatës kompetente.

3. Gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori.

Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nr. 1, datë 8.1.2001
Për rastin kur vepra penale është kryer jashtë shtetit nga një shtetas shqiptar, masa e sigurimit caktohet nga gjykata që është kompetente për të proceduar sipas nenit 77 të Kodit të Procedurës Penale. Lidhur me këtë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke shqyrtuar ankimin e të pandehurit E.D. që kishte kryer një krim në Greqi dhe pretendonte moskompetencën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Beratit për caktimin e masës së sigurimit, me vendimin nr. 1, datë 8.1.2001, ka arsyetuar: “ Neni 77 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se gjykata kompetente për të proceduar ndaj një personi që ka kryer një krim jashtë shtetit është gjykata e vendqëndrimit të të pandehurit. Pavarësisht se i pandehuri banon në Greqi, vendqëndrimi aktual i tij pas kthimit nga ai shtet ka qenë në Berat… Procedimi i tij në shtetin grek nuk ka përfunduar me vendim të formës së prerë dhe kjo tregon legjitimimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Beratit për vendimin e dhënë.”