Neni 260 - Revokimi dhe zëvendësimi i masave të sigurimit

1. Masat shtrënguese dhe ndaluese revokohen menjëherë kur del se mungojnë kushtet dhe kriteret e zbatimit të tyre.

2. Kur nevojat e sigurimit zbuten ose kur masa e zbatuar nuk i përgjigjet më rëndësisë së faktit ose dënimit që mund të caktohet, gjykata e zëvendëson masën me një tjetër më të lehtë.

3. Kur nevojat e sigurimit rëndohen, gjykata, me kërkesën e prokurorit, zëvendëson masën e zbatuar me një tjetër më të rëndë.

4. Kërkesa e prokurorit ose e të pandehurit për revokim ose zëvendësimin e masës shqyrtohet nga gjykata brenda pesë ditëve nga depozitimi i saj. Kur është rasti gjykata vendos edhe kryesisht gjatë procedimit për sigurimin e provës ose gjatë gjykimit.

_______________________________________________

Vendimi nr. 478, datë 6.9.2001 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

Duke u mbështetur në kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.478, datë 6.9.2001, ka pranuar rekursin e prokurorit dhe ka vendosur ndryshimin e vendimit nr.64, datë 31.7.2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Pogradecit, duke zëvendësuar masën e arrestit në shtëpi me atë të arrestit në burg për të pandehurit R.K.dhe S.C. Në vendimin e Kolegjit analizohet rasti konkret dhe, pasi tregohen të metat e vendimit të gjykatës lidhur me caktimin e masës së sigurimit, arsyetohet: “Kjo masë duhet caktuar duke pasur parasysh shkallën e nevojave të sigurimit, rëndësinë e faktit, rrezikshmërinë e veçantë të veprës, si dhe mundësinë e ikjes së të pandehurit.”

Vendimi nr.367, datë 3.11.2001 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

Praktika gjyqësore ka pranuar se nevojat e sigurimit mund të zbuten edhe për shkak të gjendjes shëndetësore ose rrethanave familjare të të pandehurit, kur ato janë të tilla që paksojnë mundësitë e tij për të ikur apo për të kryer vepra të tjera penale. Por jo gjithmonë gjendja shëndetësore mund të jetë shkak për ndryshimin e masës së sigurimit. Lidhur me këtë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në vendimin nr. 367, datë 3.11.2001 ka arsyetuar: “Gjendja shëndetësore e të pandehurit është nën kujdesin e spitalit të burgut, i cili është një organ i ngarkuar me ligj për trajtimin e personave që presin apo kanë marrë një vendim dënimi nga gjykata dhe që janë në gjendje burgimi apo paraburgimi… Nuk ka rezultuar pamundësia e trajtimit të të pandehurit nga pikëpamja mjeksore nga personeli i spitalit të burgut apo nevoja për trajtim të specializuar e që nuk mund të ofrohet dot nga ky spital.”.

Vendimi nr. 110, datë 23.2.2001 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

Po si do të veprohet kur vendimi i gjykatës së shkallës së parë për pafajësinë e të pandehurit të paraburgosur dhe pavlefshëmërinë masës së sigurimit prishet nga gjykata e apelit ? Gjykata e Rrethit të Kolonjës, me vendimin nr.21, datë 8.9.2000, ka deklaruar të pafajshëm të pandehurit F.B. dhe A.V., si dhe ka deklaruar të pavlefshme masën e sigurimit të arrest në burg të marrë ndaj tyre. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.116, datë 2.11.2000, ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Kolonjës dhe e ka kthyer çështjen për rigjykim, pa u shprehur për masat e sigurimit.
Kundër këtij vendimi kanë bërë rekurs të pandehurit, duke pretenduar se masat e sigurimit kanë rënë pasi gjykata e apelit nuk është shprehur për to. Kolegji Penal i Gjyaktës së Lartë, me vendimin nr.110, datë 23.2.2001, nuk e ka pranuar këtë pretendim dhe ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit, duke arsyetuar, midis të tjerave: “Në kundërshtim me sa pretendohet në rekurs se masat e sigurimit kanë rënë pasi gjykata e apelit nuk është shprehur për to dhe ato janë deklaruar të pavlefshme nga gjykata e rrethit, duhet pranuar se gjykata e apelit ka prishur në tërësi vendimin e gjykatës së rrethit nga del qartë se ka prishur edhe pjesën që bënë fjalë për deklarimin e pavlefshëm të masave të sigurimit arrest në burg.”