SEKSIONI I - SEKUESTROJA KONSERVATIVE

  • Neni 270 - Kushtet dhe efektet e masës
  • 1. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se nuk ka garanci për pagimin e dënimit me gjobë, të shpenzimeve të procedimit dhe të çdo detyrimi ndaj pasurisë së shtetit, prokurori kërkon sekuestron konservative të pasurisë së luajtshme ose të paluajtshme të të pandehurit ose të shumave a sendeve që të tjerët i detyrohen atij, në caqet që ligji lejon sekuestrimin e tyre.

    2. Paditësi civil mund të kërkojë sekuestron konservative të pasurisë së të pandehurit ose të të paditurit civil, kur janë arsyet e parashikuara në paragrafin 1.

    3. Sekuestroja e vendosur me kërkesën e prokurorit është e vlefshme edhe për paditësin civil.

  • Neni 271 - Vendimi i gjykatës për sekuestron
  • 1. Sekuestroja konservative vihet me vendim të gjykatës kompetente.

    2. Kur është dhënë vendim në shkallë të parë, sekuestroja vihet para se aktet t’i dërgohen gjykatës së apelit.

    3. Sekuestroja zbatohet nga përmbaruesi gjyqësor në mënyrat e përcaktuara nga Kodi i Procedurës Civile.

    4. Efektet e sekuestros pushojnë kur vendimi i pafajësisë ose i pushimit të çështjes ka marrë formë të prerë.

  • Neni 272 - Oferta për garantimin e detyrimit
  • 1. Kur i pandehuri ose i padituri civil ofron një mjet të përshtatshëm ligjor për të garantuar detyrimin (peng, dorëzani, kapar, hipotekë), gjykata nuk e vë sekuestron konservative ose e revokon atë dhe cakton mënyrën e ekzekutimit të detyrimit.

    2. Kur oferta propozohet bashkë me kërkesën e ankimit, gjykata revokon sekuestron në qoftë se çmon se oferta e garantimit është në përpjesëtim me vlerën e sendeve të sekuestruara.

  • Neni 273 - Ekzekutimi i masës së sekuestros
  • 1. Sekuestroja konservative shndërrohet në sekuestro të ekzekutueshme kur merr formë të prerë vendimi i dënimit me gjobë apo ai i detyrimit të të pandehurit dhe të paditurit civil me shpërblimin e dëmit.

    2. Ekzekutimi i detyrueshëm i pasurisë së sekuestruar bëhet në mënyrat e parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile. Nga të ardhurat e shitjes së pasurisë së sekuestruar dhe nga ato të mjeteve të ofruara për garantimin e detyrimit, paguhen, sipas radhës, shumat që i takojnë paditësit civil për shpërblimin e dëmit dhe shpenzimet gjyqësore, dënimet me gjobë, shpenzimet e procedimit dhe çdo shumë tjetër në favor të shtetit.