Neni 294 - Sigurimi i burimeve të provave

(Ndryshuar pika 2 me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004)

1. Edhe pas referimit të veprës penale policia gjyqësore vazhdon të kryejë funksionet e treguara në nenin 30, duke grumbulluar e fiksuar çdo element të vlefshëm për rindërtimin e faktit dhe për individualizimin e fajtorit. Ajo procedon sidomos:
a) për kërkimin dhe fiksimin e sendeve dhe të gjurmëve të veprës penale, si dhe për ruajtjen e tyre dhe të vendit të ngjarjes për aq kohë sa kjo gjë është e domosdoshme;
b) për kërkimin dhe pyetjen e personave që janë në gjendje të tregojnë rrethanat e faktit;
c) për kryerjen e veprimeve të caktuara në nenet vijuese.

2. Pas ndërhyrjes së prokurorit, Policia Gjyqësore kryen të gjitha veprimet e domosdoshme hetimore, si dhe çdo veprim të urdhëruar ose të deleguar nga prokurori.

3. Policia gjyqësore, kur kryen veprime që kërkojnë njohuri të posaçme teknike, mund të caktojë ekspertë, të cilët nuk mund të refuzojnë detyrën e ngarkuar.