strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU VI - SIGURIMI I PROVËS

  • Neni 316 - Rastet e sigurimit të provës
  • 1. Gjatë hetimeve paraprake, prokurori dhe i pandehuri mund të kërkojnë nga gjykata që të procedohet me sigurimin e provës në këto raste:
    a) në marrjen e dëshmisë së një personi, kur ka arsye të bazuara për të menduar se ai nuk mund të pyetet në shqyrtimin gjyqësor për shkak sëmundjeje ose pengesë tjetër serioze;
    b) në marrjen e dëshmisë, kur ka arsye të bazuara për të menduar se personi mund të jetë objekt dhune, kanosje ose premtimi për t’i dhënë para ose përfitime të tjera me qëllim që të mos bëjë dëshmi ose të bëjë dëshmi të gënjeshtërt;
    c) në pyetjen e të pandehurit për faktet që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e të tjerëve, kur ekziston një nga rrethanat e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”;
    ç) në ballafaqimin ndërmjet personave që para prokurorit kanë bërë deklarime kundërthënëse, kur ekziston një nga rrethanat e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”;
    d) për një ekspertim apo eksperiment gjyqësor, kur prova ka të bëjë me një person, një send a një vend, gjendja e të cilëve mund të pësojë ndryshime të pashmangshme. Ekspertimi mund të kërkohet edhe kur është rasti që po të bëhet gjatë shqyrtimit gjyqësor do të sillte një pezullim të gjykimit mbi gjashtëdhjetë ditë;
    dh) në një paraqitje për njohje, kur për arsye të veçanta nuk mund të shtyhet veprimi deri në shqyrtimin gjyqësor.

  • Neni 317 - Kërkesa për sigurimin e provës
  • 1. Kërkesa për sigurimin e provës paraqitet brenda afateve për përfundimin e hetimeve dhe përmban:
    a) provën që duhet marrë dhe rëndësinë e saj për vendimin gjyqësor;
    b) personat ndaj të cilëve procedohet për faktet objekt prove;
    c) rrethanat që nuk lejojnë që marrja e provës të shtyhet për në shqyrtimin gjyqësor.

    2. Kërkesa e bërë nga prokurori tregon edhe mbrojtësit e personave të interesuar në bazë të paragrafit 1, shkronja “b”, personin e dëmtuar dhe mbrojtësin e tij.

    3. Dispozitat e paragrafit 1 dhe 2 respektohen me pasojë mospranimi.

    4. Prokurori mund të vendosë zgjatjen e hetimeve paraprake për qëllimet e sigurimit të provës.

  • Neni 318 - Kërkesa e personit të dëmtuar
  • 1. Personi i dëmtuar mund t’i drejtohet prokurorit që ai të kërkojë sigurimin e provës.

    2. Kur nuk e pranon kërkesën, prokurori merr vendim të arsyetuar dhe vë në dijeni personin e dëmtuar, i cili mund të bëjë ankim në gjykatë.

    3. I dëmtuari akuzues mund t’i kërkojë gjykatës që të procedojë në sigurimin e provës para fillimit të gjykimit.

  • Neni 319 - Paraqitja e kërkesës
  • 1. Kërkesa për sigurimin e provës depozitohet në sekretarinë e gjykatës bashkë me sendet e dokumentet e mundshme. Ajo u njoftohet palëve dhe personave të interesuar nga ai që e ka bërë.

    2. Brenda dy ditëve nga njoftimi i kërkesës, prokurori dhe i pandehuri mund të paraqesin argumente lidhur me bazueshmërinë e kërkesës, të depozitojnë sende dhe dokumente, si dhe të tregojnë fakte të tjera dhe persona të tjerë të interesuar.

    3. Prokurori mund të kërkojë nga gjykata shtyrjen e afatit për sigurimin e provës së kërkuar nga i pandehuri, kur zbatimi i veprimit do t’i sillte dëm marrjes së provës. Gjykata vendos mbi kërkesën pasi dëgjon të pandehurit dhe mbrojtësin e tij.

  • Neni 320 - Disponimi mbi kërkesën për sigurimin e provës
  • (Shtuar një paragraf pas pikës “1” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Brenda dy ditëve nga ardhja e përgjigjes për marrjen e njoftimit për kërkesën për sigurimin e provës, gjykata merr vendim, me të cilin pranon ose rrëzon kërkesën për sigurimin e provës.
    Kundër vendimit mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit brenda 5 ditëve. Gjykata e apelit e shqyrton ankesën brenda 10 ditëve nga dorëzimi i akteve në këtë gjykatë.

    2. Me vendimin që pranon kërkesën gjykata cakton:
    a) objektin e provës brenda kufijve të kërkesës;
    b) personat e interesuar për marrjen e provës sipas kërkesës;
    c) datën e seancës, e cila nuk mund të kalojë një afat më të gjatë se dhjetë ditë nga data e dhënies së vendimit.

    3. Kur i pandehuri, prania e të cilit është e domosdoshme për sigurimin e provës, nuk paraqitet pa një shkak të ligjshëm, gjykata urdhëron shoqërimin e tij të detyrueshëm.

    4. Kur ekzistojnë arsye të ngutshme dhe sigurimi i provës nuk mund të kryhet në rrethin e gjykatës kompetente, kjo e fundit mund të delegojë gjykatën e vendit ku mund të merret prova.

  • Neni 321 - Marrja e provës
  • 1. Seanca për marrjen e provës zhvillohet me pjesëmarrjen e domosdoshme të prokurorit dhe të mbrojtësit të të pandehurit. Ka të drejtë të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i të dëmtuarit.

    2. I pandehuri dhe i dëmtuari kanë të drejtë të marrin pjesë kur duhet të pyetet një dëshmitar ose një person tjetër. Në rastet e tjera ata mund të marrin pjesë me autorizim paraprak të gjykatës.

    3. Ndalohet marrja e provave mbi faktet që kanë të bëjnë me persona që nuk përfaqësohen nga mbrojtësit në seancë.

    4. Procesverbali, sendet dhe dokumentet e marra për sigurimin e provës i dërgohen prokurorit. Mbrojtësit kanë të drejtë t’i shikojnë ato dhe të nxjerrin kopje të tyre.

  • Neni 322 - Përdorimi i provave të marra
  • 1. Provat e marra sipas rregullave të këtij kreu mund të përdoren në shqyrtimin gjyqësor vetëm ndaj të pandehurve, mbrojtësit e të cilëve kanë asistuar në marrjen e tyre.

    2. Vendimi i dhënë mbi bazën e një prove të marrë sipas rregullave të këtij kreu, në të cilin i dëmtuari nuk ka qenë në gjendje të marrë pjesë, nuk sjell pasoja përveçse kur vetë i dëmtuari ka pranuar qoftë edhe në heshtje.