SEKSIONI I -RREGULLA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 339 - Publiciteti i seancës
  • 1. Seanca gjyqësore është publike, përndryshe quhet e pavlefshme.

    2. Nuk pranohen në seancë të miturit nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe ata që janë në gjendje dehje, intoksikimi ose çrregullimi mendor.

    3. Ndalohet prania në seancë e personave të armatosur, me përjashtim të pjesëtarëve të forcave të ruajtjes së rendit.

  • Neni 340 - Rastet e gjykimit me dyer të mbyllura
  • 1. Gjykata vendos që shqyrtimi gjyqësor ose disa veprime të tij të zhvillohen me dyer të mbyllura:
    a) kur publiciteti mund të dëmtojë moralin shoqëror ose mund të sjellë përhapjen e të dhënave që duhet të mbahen sekret në interes të shtetit, në qoftë se një gjë e tillë kërkohet nga organi kompetent;
    b) kur nga ana e publikut ka shfaqje që prishin zhvillimin e rregullt të seancës;
    c) kur është e nevojshme të mbrohet siguria e dëshmitarëve ose e të pandehurve;
    ç) kur gjykohet e nevojshme në pyetjen e të miturve.

    2. Vendimi i gjykatës për zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura revokohet kur pushojnë shkaqet që e sollën atë.

  • Neni 341 - Drejtimi i seancës
  • 1. Drejtimi i seancës bëhet nga kryetari. Urdhrat e tij për ruajtjen e rendit e të qetësisë janë të detyrueshme për palët e pjesëmarrësit dhe të zbatueshme nga organet e rendit. Ata që pengojnë zhvillimin e rregullt të seancës nxirren jashtë me urdhër të kryetarit dhe kur nuk binden dënohen me gjobë deri në dhjetë mijë lekë. Urdhri është i paankimueshëm.

    2. Kur kryhet një vepër penale në sallën e gjykimit, prokurori procedon në bazë të ligjit dhe, kur është rasti urdhëron arrestimin e autorit.

  • Neni 342 - Gjykimi i pandërprerë
  • (Shtuar pika “4” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Kur shqyrtimi gjyqësor nuk mund të përfundohet në një seancë të vetme, gjykata vendos që të vazhdojë ditën e mëpasme të punës.

    2. Gjykata mund të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor, vetëm për arsye të veçanta, deri në pesëmbëdhjetë ditë.

    3. Shtyrja dhe ndërprerja e shqyrtimit gjyqësor shpallen nga kryetari në seancë. Shpallja zëvendëson njoftimin për ata që janë të pranishëm ose që duhet të quhen të pranishëm.

    4. Kur për shkaqe të përligjura ndryshon përbërja e trupit gjykues, anëtari i ri duhet të njihet me përmbajtjen e procesit gjyqësor, përveç rastit kur kërkohet prej tij që çështja të shqyrtohet nga fillimi. Kur ndryshon më shumë se një nga anëtarët e trupit gjykues që gjykon me tre gjyqtarë dhe më shumë se dy nga anëtarët e trupit gjykues që gjykon me pesë gjyqtarë, gjykimi fillon nga e para.

  • Neni 343 - Pezullimi i shqyrtimit gjyqësor
  • 1. Kur përfundimi i çështjes penale varet nga zgjidhja e një mosmarrëveshje civile ose administrative, për të cilën zhvillohet një gjykim, gjykata mund të vendosë pezullimin e shqyrtimit gjyqësor derisa çështja të zgjidhet me vendim të formës së prerë.

    2. Kundër vendimit të pezullimit mund të bëhet ankim.

    3. Kur gjykimi civil ose administrativ nuk përfundohet brenda gjashtë muajve, gjykata mund të revokojë vendimin e pezullimit, edhe kryesisht.

  • Neni 344 - Prania e të pandehurit në seancë
  • (Shtuar pika “4” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. I pandehuri merr pjesë në seancë si person i lirë edhe kur është i paraburgosur, me përjashtim të rasteve kur duhen marrë masa të domosdoshme për të parandaluar rrezikun e ikjes a të dhunës.

    2. I pandehuri që me sjelljen e tij pengon zhvillimin e rregullt të seancës, edhe pse i është tërhequr vëmendja, largohet nga salla me urdhër të kryetarit.

    3. I pandehuri i larguar quhet i pranishëm dhe përfaqësohet nga mbrojtësi. Ai mund të ripranohet në sallë në çdo kohë.

    4. Mungesa e të pandehurit që largohet nga salla dhe nuk ka pranuar të ketë mbrojtës, nuk e pengon zhvillimin e gjykimit. Në këtë rast caktohet një mbrojtës kryesisht dhe vazhdon gjykimi. I pandehuri ose mbrojtësi i caktuar prej tij mund të pranohet në sallë në çdo kohë.

  • Neni 345 - Procesverbali i seancës
  • 1. Sekretari mban procesverbalin e seancës, në të cilin tregohen:
    a) vendi, data, ora e hapjes dhe e mbylljes së seancës;
    b) përbërja e gjykatës;
    c) emri dhe mbiemri i prokurorit dhe të dëmtuarit akuzues;
    ç) gjeneralitetet e të pandehurit ose të dhëna të tjera personale që vlejnë për ta identifikuar, gjeneralitetet e mbrojtësve, të palëve private dhe të përfaqësuesve të tyre.

    2. Menjëherë pas mbylljes së seancës, procesverbali, i nënshkruar në fund të çdo flete nga ai që e ka mbajtur, i paraqitet kryetarit për ta vistuar.

    3. Procesverbali i seancës përfshihet në fashikullin për shqyrtimin gjyqësor.

  • Neni 346 - Përmbajtja e procesverbalit
  • 1. Procesverbali përshkruan veprimet e kryera në seancë dhe pasqyron në mënyrë të përmbledhur kërkesat dhe konkluzionet e prokurorit, të të dëmtuarit akuzues, mbrojtësve dhe përfaqësuesve të palëve private.

    2. Urdhrat e dhëna me gojë nga kryetari riprodhohen tërësisht. Urdhrat e shpallura në seancë me anë të leximit i bashkohen procesverbalit.

  • Neni 347 - Kërkesat e palëve për procesverbalin
  • 1. Palët kanë të drejtë të kërkojnë shënimin në procesverbal të çdo deklarimi për të cilin kanë interes. Memoriet me shkrim të paraqitura nga palët, në mbështetje të kërkesave dhe konkluzioneve të tyre, i bashkohen procesverbalit.

    2. Kryetari mund të urdhërojë, edhe kryesisht, që sekretari të lexojë pjesë të veçanta të procesverbalit me qëllim që të verifikojë saktësinë dhe plotësinë e tij. Mbi kërkesat për korrigjim ose shuarje, si dhe mbi ato që parashikohen në paragrafin 1, kryetari disponon me vendim.