strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI II - VEPRIMET PARAPRAKE

  • Neni 348 - Verifikimi i paraqitjes së palëve
  • 1. Para se të fillojë shqyrtimi gjyqësor, kryetari kontrollon paraqitjen e palëve.

    2. Kur mbrojtësi i caktuar kryesisht nuk është i pranishëm, kryetari cakton si zëvendës një mbrojtës tjetër, sipas nenit 49, paragrafi 5.

  • Neni 349 - Përsëritja e thirrjes
  • 1. Gjykata urdhëron, edhe kryesisht, që të përsëritet thirrja për gjykim kur del që i pandehuri ose personi ndaj të cilit është bërë kërkesë për gjykim nga i dëmtuari akuzues nuk ka marrë njoftim ose njoftimi është i dyshimtë.

  • Neni 350 - Mungesa e të pandehurit ose e mbrojtësit
  • 1. Kur i pandehuri, qoftë edhe i paraburgosur, ose personi ndaj të cilit ka bërë kërkesë për gjykim i dëmtuari akuzues, nuk paraqitet në seancë dhe del se mungesa është shkaktuar nga forca madhore ose ndonjë pengesë tjetër që e përjashton nga përgjegjësia, gjykata, edhe kryesisht, shtyn ose pezullon shqyrtimin gjyqësor, cakton datën e seancës së re dhe urdhron që të përsëritet thirrja.

    2. Leximi i vendimit që cakton seancën e re zëvendëson njoftimin për të gjithë ata që janë ose duhet të quhen të pranishëm.

    3. Gjykata vendos në bazë të paragrafit 1 edhe kur mungon mbrojtësi, me përjashtim të rasteve kur i pandehuri ndihmohet nga dy mbrojtës dhe pengesa për paraqitje lidhet me njërin prej tyre ose kur mbrojtësi i penguar ka caktuar një zëvendësues, ose kur i pandehuri kërkon që të procedohet në mungesë të mbrojtësit të penguar.

    4. Kur del që njoftimi nuk ka qenë i rregullt, gjykata vendos shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor dhe urdhëron përsëritjen e njoftimit.

  • Neni 351 - Deklarimi i mungesës
  • 1. Kur i pandehuri i lirë ose i paraburgosur nuk paraqitet në seancë ndonëse është njoftuar dhe nuk ka patur shkaqe të ligjshme për t’u paraqitur, gjykata, pasi dëgjon palët, deklaron mungesën e tij. Në këtë rast ai përfaqësohet nga mbrojtësi.

    2. Vendimi që deklaron mungesën është i pavlefshëm kur provohet se ajo ka ardhur nga mosmarrja e njoftimit ose nga pamundësia absolute për t’u paraqitur.

    3. Në qoftë se i pandehuri paraqitet pas shpalljes së vendimit, gjykata revokon vendimin që ka deklaruar mungesën. Kur paraqitja bëhet para fillimit të diskutimit përfundimtar, i pandehuri mund të kërkojë të pyetet. Mbeten të vlefshme veprimet e kryera më parë, por kur i pandehuri provon se njoftimi është bërë me vonesë jo për fajin e tij, gjykata urdhëron marrjen ose përsëritjen e veprimeve që çmon se kanë rëndësi për marrjen e vendimit.

    _______________________________________________

    Vendimi nr. 354, datë 28.7.1999 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë

    “… Të pandehurit të deklaruar në mungesë, sipas nenit 351 të Kodit të Procedurës Penale, nuk i mohohet e drejta për të ankimuar një vendim të dhënë ndaj tij, por kjo duhet të aplikohet në formën e parashikuar me këtë rast nga dispozita procedurale, ai ka të drejtë, mbështetur në nenin 147/2 të Kodit të Procedurës Penale, të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim, kur vërtetohet se nuk ka marrë dijeni për vendimin e dhënë dhe, pasi t’i jetë njohur kjo e drejtë, ai mund të bëjë ankim kundër vendimit, sipas rastit, në gjykatën e apelit ose në Gjykatën e Lartë.”

  • Neni 352 - Mungesa dhe largimi i vullnetshëm i të pandehurit
  • 1. Kur i pandehuri kërkon ose jep pëlqimin që shqyrtimi gjyqësor të bëhet në mungesë të tij, ose duke qenë i burgosur, refuzon të marrë pjesë, përfaqësohet nga mbrojtësi.

    2. I pandehuri, i cili pasi është paraqitur, largohet vetë nga salla, konsiderohet i pranishëm, me kusht që të përfaqësohet nga mbrojtësi.

    3. Dispozitat e paragrafit 2 zbatohen edhe kur i pandehuri i paraburgosur ikën në çdo moment të shqyrtimit gjyqësor ose gjatë intervaleve të tij.

    4. Gjykimi në mungesë mund të bëhet edhe kur provohet që i pandehuri fshihet.

  • Neni 353 - Shoqërimi i detyrueshëm i të pandehurit
  • 1. Gjykata mund të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të të pandehurit ose të personit ndaj të cilit është bërë kërkesë për gjykim nga i dëmtuari akuzues, kur nuk është paraqitur ose është deklaruar në mungesë, në qoftë se prania e tij është e domosdoshme për marrjen e një prove, por jo për pyetjen e tij.

  • Neni 354 - Kërkesat paraprake
  • 1. Kërkesat që kanë të bëjnë me juridiksionin, kompetencën, me bashkimin ose ndarjen e procedimeve, me legjitimimin e paditësit dhe të të paditurit civil, nuk mund të parashtrohen më vonë në qoftë se nuk janë ngritur menjëherë pas legjitimimit të palëve përveçse kur mundësia për t’i ngritur lind vetëm gjatë shqyrtimit gjyqësor.

    2. Për kërkesat paraprake kanë të drejtë të flasin prokurori, i dëmtuari akuzues, i pandehuri ose mbrojtësi i tij dhe nga një përfaqësues për çdo palë private. Nuk lejohet replika.

    3. Për kërkesat paraprake gjykata disponon me vendim.

  • Neni 355 - Deklarimi i hapjes së shqyrtimit gjyqësor
  • 1. Pasi kryhen veprimet e treguara në nenet e mësipërme, kryetari e deklaron të hapur shqyrtimin gjyqësor dhe tregon identitetin e të pandehurit dhe akuzën në ngarkim të tij.

  • Neni 356 - Parashtrimi hyrës dhe kërkesat për prova
  • 1. Prokurori ose i dëmtuari akuzues parashtron në mënyrë të përmbledhur faktet objekt akuze dhe tregon provat që kërkon të shqyrtohen.

    2. Sipas radhës, mbrojtësi i të pandehurit, përfaqësuesit e paditësit dhe të paditurit civilë tregojnë faktet që synojnë të provojnë dhe kërkojnë marrjen e provave.

    3. Lejohet marrja e provave që nuk janë kërkuar paraprakisht kur pala që i kërkon pretendon se nuk ka patur mundësi t’i kërkonte.

  • Neni 357 - Disponimet e gjykatës lidhur me provat
  • 1. Gjykata, pasi dëgjon palët, jep vendim për marrjen e provave.

    2. Gjatë shqyrtimit gjyqësor palët mund të bëjnë pretendime lidhur me marrjen e provave.

    Gjykata mund të revokojë me vendim marrjen e provave që dalin të panevojshme ose të pranojë marrjen e provave që kanë qenë refuzuar.

  • Neni 358 - Deklarimet e të pandehurit
  • 1. Kryetari i bën të ditur të pandehurit se ai ka të drejtë të bëjë në çdo fazë të shqyrtimit gjyqësor deklarimet që çmon të përshtatshme. Kur gjatë deklarimeve i pandehuri nuk i përmbahet objektit të akuzës, kryetari e paralajmëron dhe kur ai vazhdon i heq të drejtën e fjalës.

    2. Sekretari riprodhon tërësisht deklarimet e të pandehurit, përveçse kur kryetari urdhëron që procesverbali të mbahet në formë të përmbledhur.