Neni 351 - Deklarimi i mungesës

1. Kur i pandehuri i lirë ose i paraburgosur nuk paraqitet në seancë ndonëse është njoftuar dhe nuk ka patur shkaqe të ligjshme për t’u paraqitur, gjykata, pasi dëgjon palët, deklaron mungesën e tij. Në këtë rast ai përfaqësohet nga mbrojtësi.

2. Vendimi që deklaron mungesën është i pavlefshëm kur provohet se ajo ka ardhur nga mosmarrja e njoftimit ose nga pamundësia absolute për t’u paraqitur.

3. Në qoftë se i pandehuri paraqitet pas shpalljes së vendimit, gjykata revokon vendimin që ka deklaruar mungesën. Kur paraqitja bëhet para fillimit të diskutimit përfundimtar, i pandehuri mund të kërkojë të pyetet. Mbeten të vlefshme veprimet e kryera më parë, por kur i pandehuri provon se njoftimi është bërë me vonesë jo për fajin e tij, gjykata urdhëron marrjen ose përsëritjen e veprimeve që çmon se kanë rëndësi për marrjen e vendimit.

_______________________________________________

Vendimi nr. 354, datë 28.7.1999 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë

“… Të pandehurit të deklaruar në mungesë, sipas nenit 351 të Kodit të Procedurës Penale, nuk i mohohet e drejta për të ankimuar një vendim të dhënë ndaj tij, por kjo duhet të aplikohet në formën e parashikuar me këtë rast nga dispozita procedurale, ai ka të drejtë, mbështetur në nenin 147/2 të Kodit të Procedurës Penale, të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim, kur vërtetohet se nuk ka marrë dijeni për vendimin e dhënë dhe, pasi t’i jetë njohur kjo e drejtë, ai mund të bëjë ankim kundër vendimit, sipas rastit, në gjykatën e apelit ose në Gjykatën e Lartë.”