Neni 361/a - Pyetja e bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe e dëshmitarëve të mbrojtur

(Shtuar me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004)

1. Pyetja e bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe e dëshmitarëve të mbrojtur zhvillohet nën masa të veçanta për mbrojtjen e tyre, të cilat përcaktohen nga gjykata, kryesisht ose me kërkesën e palëve.
Kur disponon mjete teknike, gjykata mund të vendosë që marrja në pyetje e tyre të zhvillohet në distancë me anë të lidhjes audiovizive, sipas rregullave të parashikuara në pikën 7 të nenit 361.

2. Kur ndaj personit që do të pyetet është vendosur ndryshimi i identitetit, gjykata urdhëron marrjen e masave të përshtatshme për të bërë të mundur që fytyra dhe zëri i personit të mos jenë të dallueshme për palët.

Në rast se është e domosdoshme njohja e identitetit ose këqyrja e personit, gjykata urdhëron thirrjen ose shoqërimin e detyrueshëm për përmbushjen e këtij veprimi. Në këtë rast gjykata urdhëron marrjen e masave të nevojshme për të mënjanuar pamjen e dallueshme të fytyrës së personit, të cilit i është ndryshuar identiteti.