SEKSIONI I - MARRJA E VENDIMIT

  • Neni 379 - Menjëhershmëria e marrjes së vendimit
  • 1. Vendimi merret menjëherë pas mbylljes së shqyrtimit gjyqësor.

    2. Marrja e vendimit nuk mund të shtyhet përveçse në rast pamundësie absolute. Shtyrja vendoset nga kryetari me urdhër të motivuar.

  • Neni 380 - Provat që mund të përdoren për të marrë vendimin
  • 1. Për të marrë vendimin gjykata nuk mund të përdorë prova të tjera veç atyre që janë marrë ose janë verifikuar në shqyrtimin gjyqësor.

    Vendimi nr. 100, datë 1.2.2001 i Kolegjit Penal të Gjykatës Kushtetuese
    “Vendimet gjyqësore, thuhet në nenin 142 të Kushtetutës, duhet të jenë të arsyetuara.”
    Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka pranuar rekursin e të gjykuarit F.A., të gjykuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Shkodrës dhe me vendimin nr.100, datë 1.2.2001, ka prishur vendimin e asaj gjykate, duke arsyetuar: “ Gjykata duhet t’i përmbahet kërkesës së ligjit lidhur me përmbajtjen e vendimit, domethënë të elementeve përbërës të tij…Një ndër to është edhe detyrimi i gjykatës për të parashtruar në vendimin e saj, në mënyrë të përmbledhur, rrethanat e faktit dhe provat mbi të cilat bazohet vendimi, si dhe arsyet për të cilat gjykata i quan të papranueshme provat e kundërta. Si në vendimin e gjykatës së rrethit, ashtu edhe në atë të apelit nuk parashtrohen këto elemente për një episod të krimit.”

  • Neni 381 - Marrja e vendimit kolegjialisht
  • 1. Trupi gjykues, nën drejtimin e kryetarit, vendos veças për çdo çështje që lidhet me faktin dhe me ligjin, me zbatimin e masave të sigurimit, me dënimet dhe me përgjegjësinë civile.

    2. Gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët parashtrojnë mendimin e tyre dhe votojnë për çdo çështje. Kryetari mbledh votat, duke filluar nga gjyqtari ose ndihmësgjyqtari me vjetërsinë më të vogël në shërbim dhe vetë voton i fundit.

  • Neni 382 - Përpilimi i vendimit
  • 1. Pas marrjes së vendimit bëhet arsyetimi i tij duke u bazuar në provat dhe ligjin penal, si dhe nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e trupit gjykues.

  • Neni 383 - Elementet e vendimit
  • 1. Vendimi përmban:
    a) gjykatën që e ka dhënë;
    b) gjeneralitetet e të pandehurit ose të dhëna të tjera personale që vlejnë për ta identifikuar, si dhe gjeneralitetet e palëve të tjera private;
    c) akuzën;
    ç) parashtrimin e përmbledhur të rrethanave të faktit dhe provat mbi të cilat bazohet vendimi, si dhe arsyet për të cilat gjykata i quan të papranueshme provat e kundërta;
    d) dispozitivin, duke treguar nenet e zbatuara të ligjit;
    dh) datën dhe nënshkrimin anëtarëve të trupit gjykues.

    2. Vendimi është i pavlefshëm kur mungon dispozitivi ose nënshkrimi i anëtarëve të trupit gjykues.

  • Neni 384 - Shpallja e vendimit
  • 1. Vendimi shpallet në seancë nga kryetari ose një anëtar i trupit gjykues me anë të leximit.

    2. Shpallja vlen edhe si njoftim për palët që janë ose që duhet të konsiderohen të pranishme në seancë.

  • Neni 385 - Ndreqja e vendimit
  • 1. Gjykata, edhe kryesisht, procedon për ndreqjen e vendimit kur duhet korrigjuar ndonjë gabim material.

  • Neni 386 - Depozitimi i vendimit
  • 1. Vendimi depozitohet në sekretari menjëherë pas shpalljes. Nëpunësi i caktuar vë nënshkrimin dhe shënon datën e depozitimit.

    2. Lajmërimi për depozitimin dhe kopja e vendimit i njoftohen të pandehurit që është deklaruar në mungesë.