strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI III - VENDIMI I DËNIMIT

  • Neni 390 - Dënimi i të pandehurit
  • (Nryshuar pika “2” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Kur i pandehuri del fajtor për veprën penale që i atribuohet, gjykata jep vendim dënimi, duke caktuar llojin dhe masën e dënimit.

    2. Kur i pandehuri ka kryer disa vepra penale, gjykata cakton dënimin për secilën prej tyre dhe zbaton normat mbi bashkimin e veprave penale dhe të dënimeve.

  • Neni 391 - Deklarimi për falsitetin e dokumenteve
  • 1. Falsiteti i një akti ose i një dokumenti të vërtetuar me vendimin e gjykatës, deklarohet në dispozitiv, në të cilin urdhërohet, sipas rastit, fshirja tërësore ose e pjesshme, rivënia në fuqi, përsëritja ose ndryshimi i aktit apo dokumentit, duke caktuar edhe mënyrën me të cilën duhet bërë.

    2. Deklarimi i falsitetit mund të ankimohet bashkë me vendimin përfundimtar.

  • Neni 392 - Detyrimi për pagimin e gjobës
  • 1. Kur i dënuari nuk ka të ardhura ose pasuri të sekuestrueshme, gjykata ngarkon atë që përgjigjet civilisht për detyrimet e të pandehurit që të paguajë një shumë të barabartë me gjobën.

  • Neni 393 - Detyrimi për shpenzimet
  • 1. I dënuari ngarkohet me pagimin e shpenzimeve procedurale që lidhen me veprat penale, të cilave u referohet dënimi.

    2. Të dënuarit për të njëjtën vepër penale ose për vepra penale të lidhura detyrohen solidarisht të paguajnë shpenzimet. Të dënuarit në të njëjtin gjykim për vepra penale që nuk lidhen midis tyre detyrohen solidarisht vetëm për shpenzimet e përbashkëta që lidhen me veprat penale për të cilat është dhënë dënimi.

  • Neni 394 - Detyrimi i të paditurit civil
  • 1. Në vendimin e dënimit gjykata disponon edhe mbi kërkesën për kthimin e sendit dhe shpërblimin e dëmit, si dhe për mënyrën e likuidimit të detyrimit.

    2. Kur pranohet përgjegjësia e të paditurit civil, ai detyrohet solidarisht me të pandehurin për kthimin e sendit dhe shpërblimin e dëmit.

  • Neni 395 - Saktësimi i dëmit
  • 1. Kur provat e marra nuk mundësojnë saktësimin e dëmit, gjykata disponon për të drejtën e shpërblimit të dëmit në tërësi dhe ia dërgon aktet gjykatës civile.

    2. Me kërkesën e paditësit civil, i pandehuri dhe i padituri civil mund të detyrohen të paguajnë një shumë të përafërt me dëmin që çmohet se është provuar. Ky detyrim ekzekutohet menjëherë.

  • Neni 396 - Ekzekutimi i përkohshëm i detyrimit civil
  • 1. Me kërkesën e paditësit civil, kur ekzistojnë shkaqe të përligjura, detyrimi për kthimin e sendit dhe shpërblimin e dëmit shpallet i ekzekutueshëm përkohësisht.

  • Neni 397 - Detyrimi i palëve private me shpenzimet procedurale
  • 1. Me vendimin që pranon kërkesën e kthimit të sendit ose të shpërblimit të dëmit, gjykata detyron solidarisht të pandehurin dhe të paditurin civil për pagimin e shpenzimeve procedurale në dobi të paditësit civil, përveçse kur çmon se duhet të vendosë kompesimin tërësor ose të pjesshëm të tyre.

    2. Kur rrëzohet kërkesa ose kur i pandehuri deklarohet i pafajshëm, përveç rastit që është i papërgjegjshëm, gjykata detyron paditësin civil me pagimin e shpenzimeve procedurale të bëra nga i pandehuri dhe nga i padituri civil për efekt të padisë civile, por gjithnjë kur nuk ekzistojnë shkaqe për kompesimin tërësor a të pjesshëm. Kur vërtetohet pakujdesia e rëndë, gjykata mund ta detyrojë edhe me shpërblimin e dëmeve të shkaktuara të pandehurit ose të paditurit civil.

  • Neni 398 - Detyrimi i ankuesit me shpenzimet dhe me dëmet
  • 1. Kur gjykata vendos pafajësinë e të pandehurit për një vepër penale që ndiqet mbi ankim, sepse fakti nuk ekziston ose se i pandehuri nuk e ka kryer, ankuesi detyrohet me pagimin e shpenzimit të procedimit të bëra nga shteti, si dhe me shpenzimet dhe me shpërblimin e dëmit në dobi të të pandehurit dhe të paditurit civil.

  • Neni 399 - Publikimi i vendimit për të riparuar dëmin jopasuror
  • 1. Me kërkesën e paditësit civil, gjykata urdhëron publikimin e vendimit të dënimit, si mënyrë e riparimit të dëmit jopasuror të rrjedhur nga vepra penale.

    2. Publikimi i vendimit bëhet i plotë ose me shkurtime, në gazetat e treguara nga gjykata, me shpenzimet e të pandehurit dhe të paditurit civil.

    3. Në qoftë se publikimi nuk bëhet në afatin e caktuar, paditësi civil mund të veprojë vetë me të drejtën për të kërkuar shpenzimet nga i dënuari.