SEKSIONI I - GJYKIMI I DREJTPËRDREJTË

  • Neni 400 - Rastet e gjykimit të drejtpërdrejtë
  • (Ndryshuar pika “1” me ligjin nr. 8813, datë 13.6.2002)

    1. Kur i pandehuri është arrestuar në flagrancë, prokurori mund ta paraqesë në gjykatë, brenda dyzet e tetë orëve, kërkesën për vleftësimin e arrestit dhe gjykimin e njëkohshëm.

    2. Në qoftë se arrestimi vleftësohet i drejtë dhe nuk ka nevojë për hetime të tjera, procedohet menjëherë në gjykim, ndërsa kur ai nuk gjendet i bazuar aktet i kthehen prokurorit.
    Por edhe në rastin e fundit, kur i pandehuri dhe prokurori japin pëlqimin gjykata procedon në gjykimin e drejtpërdrejtë.

    3. Prokurori mund të procedojë në gjykimin e drejtpërdrejtë edhe ndaj të pandehurit që gjatë marrjes në pyetje ka pohuar dhe fajësia e tij është e qartë. Në këtë rast i pandehuri thirret për t’u paraqitur brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga data e regjistrimit të veprës penale.

    4. Kur vepra penale, për të cilën kërkohet gjykimi i drejtpërdrejtë lidhet me vepra penale të tjera, për të cilat mungojnë kushtet për këtë lloj gjykimi, procedohet ndaras për veprat e tjera dhe ndaj të pandehurve të tjerë, përveçse kur kjo ndarje dëmton hetimet. Kur bashkimi është i domosdoshëm zbatohen rregullat e gjykimit të zakonshëm.

  • Neni 401 - Përgatitja e gjykimit të drejtpërdrejtë
  • 1. Kur çmon se duhet të procedojë në gjykim të drejtpërdrejtë, prokurori urdhëron paraqitjen në seancë të të pandehurit. Kur ai është i lirë afati për t’u paraqitur nuk mund të jetë më i vogël se tri ditë.

    2. Urdhri bashkë me afatet përkatëse dërgohen në sekretarinë e gjykatës.

    3. Mbrojtësit i njoftohet pa vonesë data e gjykimit nga prokurori. Ai ka të drejtë të shikojë dhe të nxjerrë kopje të dokumentacionit që lidhet me hetimet e zhvilluara.

  • Neni 402 - Zhvillimi i gjykimit të drejtpërdrejtë
  • 1. Gjatë gjykimit të drejtpërdrejtë zbatohen dispozitat e kreut për shqyrtimin gjyqësor.

    2. Prokurori, i pandehuri dhe paditësi civil mund të paraqesin gjatë shqyrtimit gjyqësor prova të tjera.

    3. I pandehuri ka të drejtë të kërkojë një afat për të përgatitur mbrojtjen deri në tri ditë. Në këtë rast shqyrtimi gjyqësor shtyhet deri në seancën e re, që bëhet pas mbarimit të afatit.

    4. I pandehuri mund të kërkojë gjykimin e shkurtuar. Gjykata, pasi merr mendimin e prokurorit dhe e gjen të drejtë kërkesën, vendos vazhdimin e gjykimit, duke respektuar rregullat e caktuara për gjykimin e shkurtuar. Në të kundërtën vazhdon gjykimin e drejtpërdrejtë.