Neni 425 - Kufijtë e shqyrtimit të çështjes

1. Gjykata e apelit e shqyrton çështjen në tërësi dhe nuk kufizohet vetëm me shkaqet e paraqitura në ankim. Ajo shqyrton edhe pjesën që u takon bashkëtëpandehurve që nuk kanë bërë ankim brenda kufijve që referojnë shkaqet e ngritura në ankim.

2. Kur apelues është prokurori, gjykata e apelit:
a) mund t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë, të ndryshojë llojin ose ta rrisë masën e dënimit, të ndryshojë masat e sigurimit dhe të marrë çdo masë tjetër që urdhëron ose lejon ligji;
b) mund t’i japë dënim atij që është deklaruar i pafajshëm, t’i japë pafajësi për një shkak të ndryshëm nga ai që pranohet në vendimin e apeluar, të marrë masat e treguara në shkronjën “a”;
c) mund të zbatojë, të ndryshojë ose të përjashtojë dënimet plotësuese dhe masat e sigurimit.

3. Kur apelues është vetëm i pandehuri, gjykata nuk mund të caktojë një dënim më të rëndë, të zbatojë një masë sigurimi më të rëndë, t’i japë pafajësisë një shkak më pak të favorshëm nga ai i vendimit të apeluar.

________________________________________________

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 96, datë 27.7.2001

“Është e vërtetë që me ankimin e tij të pandehurit nuk mund t’i rëndohet pozita, por ky parim shërben si garanci kur mjetin e ankimit e ka përdorur i pandehuri dhe nuk mund të shërbejë si i tillë kur mjetin e ankimit e ka përdorur prokurori. Atë që nuk mund ta bënte në rastin konkret gjykata e apelit për shkak të kufizimit procedural, të parashikuar nga neni 425/3 i Kodit të Procedurës Penale, e realizoi Gjykata e Lartë, e cila sipas nenit 432 pranon rekurset kundër vendimeve të formës së prerë të gjykatave të apeleve e të rretheve dhe vendos për çështjet ligjore sipas neneve 434 e 441 të Kodit të Procedurës Penale.”
___________________________________________________