Neni 426 - Veprimet paraprake të gjykimit

1. Kryetari i kolegjit të gjykatës së apelit urdhëron thirrjen e të pandehurit, paditësit civil dhe të paditurit civil, si dhe të mbrojtësve e të përfaqësuesve të tyre. Afati i paraqitjes nuk mund të jetë më i vogël se dhjetë ditë.

2. Urdhri i thirrjes është i pavlefshëm kur i pandehuri nuk është identifikuar në mënyrë të sigurtë ose kur nuk është saktësuar vendi, dita dhe ora e paraqitjes.

Vendimi nr.1, datë 15.2.2001 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë

“… ky urdhërim nuk mund të kuptohet pa realizimin e njoftimit të të pandehurit. Për të ilustruar koneksitetin ndërmjet “urdhërimit të thirrjes” dhe “njoftimit” të të pandehurit, mjafton të shikohen përcaktimet që bëjnë nenet 349 dhe 350 të Kodit të Procedurës Penale… duke mos respektuar kërkesat e parashikuara nga nenet 426/ 1 dhe 139 të Kodit të Procedurës Penale, të gjitha aktet e realizuara nga gjykata e apelit janë absolutisht të pavlefshme.”