Neni 489 - Kërkesa për ekstradim

1. Ekstradimi lejohet vetëm mbi bazën e një kërkese drejtuar Ministrisë së Drejtësisë.

2. Kërkesës për ekstradim i bashkëngjiten:
a) kopja e vendimit të dënimit me burgim ose e aktit të procedimit;
b) një relacion mbi veprën penale që i ngarkohet personit për të cilin kërkohet ekstradimi, duke treguar kohën dhe vendin e kryerjes së veprës dhe cilësimin ligjor të saj;
c) teksti i dispozitave ligjore që do të zbatohen, duke treguar nëse për veprën për të cilën kërkohet ekstradimi është parashikuar nga ligji i shtetit të huaj dënimi me vdekje;
ç) të dhënat individuale dhe çdo informacion tjetër të mundshëm që shërben për të përcaktuar identitetin dhe shtetësinë e personit, për të cilin kërkohet ekstradimi.

3. Kur konkurrojnë disa kërkesa ekstradimi, Ministria e Drejtësisë cakton radhën e shqyrtimit. Për këtë qëllim ajo mban parasysh të gjitha rrethanat e çështjes dhe veçanërisht datën e marrjes së kërkesës, rëndësinë dhe vendin e kryerjes së veprës penale ose shtetësinë dhe vendbanimin e personit të kërkuar, si dhe mundësinë e një riekstradimi nga shteti kërkues.

4. Në qoftë se për një shkelje të vetme ekstradimi kërkohet në të njëjtën kohë nga shumë shtete, ai i jepet shtetit ndaj të cilit është drejtuar vepra penale ose atij shteti mbi territorin e të cilit është kryer vepra.