Neni 493 - Masat shtrënguese dhe sekuestrimet

1. Me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, të paraqitur nëpërmjet prokurorit, ndaj personit për të cilin është kërkuar ekstradimi mund të merren masa shtrënguese dhe të vendoset sekuestrimi i provave materiale dhe i sendeve që i përkasin veprës penale, për të cilën është kërkuar ekstradimi.

2. Në caktimin e masave shtrënguese respektohen dispozitat e titullit V të këtij Kodi, për aq sa mund të zbatohen, duke mbajtur parasysh kërkesat për të garantuar që personi për të cilin është kërkuar ekstradimi të mos i shmanget dorëzimit.

3. Masat htrënguese dhe sekuestroja nuk vendosen kur ka arsye të çmohet se nuk ekzistojnë kushtet për dhënien e një vendimi në favor të ekstradimit.

4. Masat shtrënguese revokohen kur brenda tre muajve nga fillimi i ekzekutimit të tyre nuk ka përfunduar procedimi para gjykatës. Me kërkesë të prokurorit afati mund të zgjatet, por jo më shumë se një muaj, kur është e nevojshme të bëhen verifikime veçanërisht komplekse.

5. Kompetenca për të vendosur në bazë të paragrafëve të mësipërm i përket gjykatës së rrethit ose, gjatë procedimit para gjykatës së apelit, kësaj të fundit.