Neni 495 - Arrestimi nga policia gjyqësore

(Ndryshuar pika 2 dhe 3 me ligjin nr. 8813, datë 13.6.2002)

1. Në rastet e ngutshme, policia gjyqësore mund të bëjë arrestimin e personit, kundër të cilit është paraqitur kërkesa për arrestimin e përkohshëm. Ajo bën edhe sekuestrimin e provave materiale të veprës penale dhe të sendeve që i përkasin asaj.

2. Autoriteti që ka bërë arrestimin njofton menjëherë prokurorin dhe Ministrin e Drejtësisë.
Brenda dyzet e tetë orëve prokurori e vë të arrestuarin në dispozicion të gjykatës në territorin e së cilës është bërë arrestimi, duke i dërguar edhe dokumentacionin përkatës.

3. Gjykata, brenda dyzet e tetë orëve nga arrestimi e miraton atë, kur janë kushtet ose vendos lirimin e të arrestuarit. Për vendimin që merr ajo njofton Ministrin e Drejtësisë.

4. Masa e arrestit revokohet në qoftë se Ministria e Drejtësisë nuk kërkon, brenda dhjetë ditëve nga miratimi, mbajtjen e saj.

5. Kopja e vendimit të dhënë nga gjykata për masat shtrënguese dhe sekuestrimet, në bazë të këtyre neneve, u njoftohet prokurorit, personit të interesuar dhe mbrojtësit të tij, të cilët mund të bëjnë ankim në gjykatën e apelit.