Neni 519 - Kushtet e ekzekutimit jashtë shtetit

1. Në rastet e parashikuara nga marrëveshjet ndërkombëtare ose nga neni 501, paragrafi 2, Ministria e Drejtësisë kërkon ekzekutimin jashtë shtetit të vendimeve penale ose jep pëlqimin kur ai kërkohet nga shteti i huaj.

2. Ekzekutimi jashtë shtetit i një vendimi penal dënimi me kufizim të lirisë personale mund të kërkohet ose të lejohet vetëm në qoftë se i dënuari që ka marrë dijeni për pasojat, ka deklaruar lirisht se jep pëlqimin dhe kur ekzekutimi në shtetin e huaj është i përshtatshëm për riintegrimin e tij shoqëror.

3. Ekzekutimi jashtë shtetit lejohet edhe kur nuk ekzistojnë kushtet e parashikuara nga paragrafi 2, në qoftë se i dënuari ndodhet në territorin e shtetit, të cilit i është drejtuar kërkesa dhe ekstradimi është mohuar ose sidoqoftë nuk është i mundur.