strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - FUSHA E ZBATIMIT TË KODIT

  • Neni 3 - Në hapësirë
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)
    (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Kontrata e punës rregullohet nga ligji i shtetit, ku punëmarrësi kryen zakonisht punën e vet, edhe nëse ai dërgohet nga punëdhënësi të punojë përkohësisht në një shtet tjetër.

    2. Kur punëmarrësi nuk e kryen punën zakonisht në të njëjtin shtet, kontrata e punës rregullohet nga ligji i shtetit ku ndodhet qendra e tij/saj e punës.
    Kur qendra e punës nuk mund të përcaktohet, ajo rregullohet nga ligji i shtetit, ku ndodhet qendra e personit fizik ose juridik, që ka punësuar punëmarrësin.

    3. Kur nga tërësia e rrethanave kontrata e punës ka lidhje më të ngushta me ligjin e një shteti tjetër, atëherë zbatohet ky ligj.

    4. Palët me marrëveshje mund të zgjedhin zbatimin e një ligji tjetër, ndryshe nga sa parashikohet në paragrafët e mësipërm.

    5. Kjo zgjedhje nuk mund ta privojë punëmarrësin nga mbrojtja që i sigurojnë atij dispozitat urdhëruese të ligjit që do të jetë i zbatueshëm në mungesë të zgjedhjes.

    Në kuptim të kësaj dispozite, quhen urdhëruese të gjitha dispozitat që, në bazë të ligjit, nuk duhet të cënohen me kontratë npë dëm të punëmarrësit.

  • Neni 4 - Sipas personave
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    Përjashtohen nga fusha e zbatimit të këtij Kodi:
    - punësimi i personave që rregullohet me ligj të veçantë.
    Dispozita të veçanta të këtij Kodi zbatohen edhe ndaj personave, punësimi i të cilëve rregullohet me ligj të veçantë, nëse ligji i veçantë nuk parashikon zgjidhje për probleme të lidhura me marrëdhëniet e punës.

  • Neni 5 - Sipas përmbajtjes
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    Përjashtohen nga fusha e zbatimit të këtij Kodi:

    a. veprimtaria që kufizohet vetëm në ushtrimin e detyrës së këshilltarit ose anëtarit të organit të administrimit të personit juridik që ka formën juridike të një shoqërie, kur kjo veprimtari përmban vetëm ekzekutimin e detyrimeve që rrjedhin nga kjo detyrë;

    b. punët e kryera shoqërisht, vullnetarisht ose në bazë të fqinjësisë së mirë;

    c. punët familjare që kryhen nga: bashkëshorti, fëmijët dhe bashkëshortet e tyre, partnerët bashkëjetues, paraardhës të tyre, përfshirë të birësuarit, për aq kohë sa jetojnë me punëdhënësin në një ekonomi të përbashkët, me përjashtim të rasteve kur provohet se personat që i kryejnë ato janë punëmarrës.

  • Neni 6 - Në kohë
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    1. Dispozitat e këtij Kodi zbatohen për të gjitha kontratat e punës që do të lidhen pas hyrjes së tij në fuqi.

    2. Ky Kod zbatohet edhe për kontratat e punës të lidhura para hyrjes së tij në fuqi, por të zbatuara pas kësaj hyrjeje në fuqi të këtij Kodi. Në të gjitha rastet punëmarrësit i llogaritet vjetërsia në punë që nga fillimi i marrëdhënieve të punës.

    3. Të njëjtat rregulla zbatohen në rast ndryshimi të pjesshëm të këtij Kodi.

    4. Këshilli i Ministrave mund të vendosë që dispozitat e këtij kodi lidhur me mbrojtjen e shëndetit dhe të sigurisë të vihen në jetë në mënyrë progresive, gjatë një periudhe të kufizuar në disa ndërmarrje të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave; këto ndërmarrje do t’u nënshtrohen dispozitave të veçanta.

  • Neni 7 - Kompetenca tokësore
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    1. Paditë ndaj personave që banojnë në territorin e Shqipërisë ngrihen para gjykatës së vendbanimit të të paditurit.

    2. Padia ngrihet edhe në vendin ku punëmarrësi kryen zakonisht punën e tij. Kur punëmarrësi nuk e kryen zakonisht punën e tij në të njëjtin vend, vendi ku ndodhet qendra e punës, që e ka punësuar atë.

    3. Marrëveshjet që lidhen me juridiksionin janë të vlefshme vetëm nëse përcaktohen pas lindjes së konfliktit.