strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - TË DREJTAT THEMELORE

  • Neni 8 - Ndalimi i punës së detyruar
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    1. Ndalohet puna e detyruar në të gjitha format e saj.

    2. Me punë të detyruar ose të detyrueshme kuptohet çdo punë ose shërbim që i kërkohet individit kundër vullentit të tij, duke e kërcënuar me një dënim të çfarëdoshëm.
    Ndalohet përdorimi i punës së detyruar si:
    a. masë shtrënguese ose sanksion ndaj personave që kanë ose që shprehin bindje në kundërshtim me rendin politik, ekonomik, shoqëror në fuqi;
    b. metodë mobilizimi ose përdorimi të fuqisë punëtore për qëllime të zhvillimit ekonomik;
    c. masë për disiplinën në punë;
    d. dënim për pjesëmarrje në grevë;
    e. masë diskriminimi racial, shoqëror, kombëtar ose fetar.

    3. Nuk quhet punë e detyruar:
    a. çdo punë ose shërbim i kërkuar në bazë të ligjit për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat lidhen me punime të karakterit të mirëfilltë ushtarak;
    b. çdo punë ose shërbim që i kërkohet individit si dënim i vendosur nga gjykata dhe gjatë të cilit personi nuk vihet në shërbim të shtetasve ose personave juridikë privatë, me përjashtim të rasteve të parashikuara në paragrafin 2 të këtij neni.
    c. çdo punë që kërkohet në rast lufte ose për shkak të forcave madhore, fatkeqësi natyrore, sidomos zjarri, përmbytja, uria, tërmeti, epidemia ose të gjitha rrethanat që rrezikojnë jetën ose kushtet normale të jetesës së të gjithë popullsisë ose të një pjese të saj.

  • Neni 9 - Ndalimi i diskriminimit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    1. Nalohet çdo lloj diskriminimi në fushën e marrjes në punë dhe të profesionit.

    2. Me diskriminim kuptohet çdo dallim, përjashtim ose parapëlqim që bazohet në racë, ngjyrë, seks, moshë, fe, bindje politike, origjinë kombëtare, origjinë shoqërore, lidhje familjare, të meta fizike ose mendore që cenon të drejtën e individit për të qenë i barabartë në punësim dhe trajtim. Dallimet, përjashtimet ose parapëlqimet që kërkohen për një vend pune të caktuar nuk konsiderohen si diskriminime. Masat e veçanta mbrojtëse për punëmarrësit të parashikuara nga ky Kod me vendim të Këshillit të Ministrave ose me kontrata kolektive nuk quhen si diskriminime.

    3. Me punësim dhe profesion kuptohet orientimi dhe formimi profesional, zënia me punë dhe në profesione të ndryshme, si dhe kushtet e punësimit që lidhen me shpërndarjen e punës, kryerjen e saj, shpërblimin, ndihmën shoqërore, disipilinën ose përfundimin e kontratës së punës.

  • Neni 10 - Liria sindikale. Bisedimet kolektive.
  • 1. Liria sindikale mbrohet me ligj.

    2. Askush nuk ka të drejtë:
    a. të kushtëzojë punësimin e punëmarrësit nëse ai është ose jo ose pushon së qenuri anëtari i një sindikate të krijuar në bazë të ligjit;
    b. të pushojë ose cenojë të drejtën e punëmarrësit për shkak të anëtarësimit ose jo në një sindikatë të krijuar në bazë të ligjit ose të pjesëmarrjes në veprimtari sindikale duke respektuar legjislacionin në fuqi.

  • Neni 10/1 - Mbrojtja për punonjësit që denoncojnë korrupsionin
  • (Shtuar me ligjin nr.10 053, datë 29.12.2008)

    1. Çdo masë ose sanksion administrativ i pajustifikuar, që është marrë ndaj punonjësve, të cilët kanë arsye të dyshojnë për korrupsion e që këtë dyshim ua paraqesin personave përgjegjës ose autoriteteve kompetente, është i pavlefshëm.

    2. Kundër vendimit të dhënë në mënyrë të pajustifikuar për shkakun e mësipërm, punonjësi ka të drejtën e ankimit në gjykatë.

    3. Raportimi i fakteve, që kanë lidhje me korrupsionin, nuk përbën shkelje të detyrimit të sekretit profesional.