A. KOHËZGJATJA DITORE E PUNËS

  • Neni 77 - Përkufizim
  • Me kohëzgjatje ditore të punës kuptohet koha e përditshme efektive e punës nga ora 0 deri në orën 2400 të së njëjtës ditë, pa përfshirë pushimet.

  • Neni 78 - Kohëzgjatja e punës dhe pushimi ditor
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Kohëzgjatja ditore normale e punës është jo më shumë se 8 orë. Ajo përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në kontratën kolektive ose në kontratën individuale të punës, brenda limiteve të kohës javore maksimale të punës.

    2. Shfuqizohet.

    3. Për punëmarrësit nën 18 vjeç kohëzgjatja ditore e punës është jo më shumë se 6 orë në ditë.

    4. Pushimi ditor është të paktën 11 orë pa ndërprerje brenda ditës ose në rast nevoje për dy ditë rresht.

  • Neni 79 - Pushimet
  • 1. Orët e fillimit dhe të mbarimit të punës përcaktohen nga rregullorja e brendshme, brenda kufijve të parashikura nga ligji dhe me vendim të Këshillit të Ministrave.

    2. Momenti dhe kohëzgjatja e pushimeve të përditshme caktohen në kontratën kolektive të punës ose në kontratën individuale, në kufijtë e parashikuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

  • Neni 80 - Puna e natës
  • 1. Me punë nate kuptohet puna e kryer nga ora 2200 deri në orën 600 të mëngjesit.

    2. Kohëzgjatja e punës së natës dhe e punës së kryer një ditë para ose pas saj nuk duhet të jetë më shumë se tetë orë pa ndërprerje. Ato duhet të paraprihen ose pasohen me pushim ditor të menjëhershëm.

  • Neni 81 - Shtesa mbi pagë
  • 1. Çdo orë pune e kryer nga ora 1900 deri në 2200 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 20 për qind.

    2. Çdo orë pune e kryer midis intervalit 2200 dhe 600 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 50 për qind.