strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

E. Pushimet vjetore

  • Neni 92 - Kohëzgjatja
  • (Ndryshuar me ligjin snr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Kohëzgjatja e pushimeve vjetore të paguara përcaktohen me kontratën kolektive ose me kontratën individuale të punës.

    2. Kohëzgjatja e pushimeve vjetore është jo më pak se 4 javë kalendarike gjatë vitit të punës në vazhdim.

    3. Kur punëmarrësi nuk ka kryer një vit pune të plotë, kohëzgjatja e pushimeve vjetore të paguara përcaktohet në raport me kohëzgjatjen e marrëdhënieve të punës. Periudhat e paaftësisë së përkohshme në punë, konsiderohen si kohë pune.

  • Neni 93 - Data e pushimeve vjetore
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Punëdhënësi duke mbajtur parasysh dëshirën e punëmarrësit përcakton datën e fillimit të pushimeve vjetore të paguara. Data e fillimit të pushimeve vjetore i njoftohet punëmarrësit të paktën 30 ditë përpara.

    2. Punëmarrësi i shtruar në spital ose që qëndron në shtëpi për shkak sëmundjeje ose aksidenti që vërtetohen me raport mjekësor, mund të kërkojë shtyrjen e pushimit vjetor.

    3. Pushimet vjetore duhet të jepen gjatë vitit të punës ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës, por asnjëherë nuk duhet të jenë më pak se një javë kalendarike pa ndërprerje.

    4. E drejta e pushimeve që nuk (jepen) merren parashkruhet brenda tre vjetëve që nga dita në të cilën punëmarrësit i lind kjo e drejtë.

  • Neni 94 - Paga
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    1. Paga që paguhet për lejen vjetore, është ajo që punëmarrësi do të përfitonte sikur të mos kryente lejen. Kësaj page i shtohet një shpërblim i drejtë që i përgjigjet pjesës së pagës së përfituar në natyrë; Këshilli i Ministrave përcakton kriteret e përllogaritjes së kësaj page.

    2. Paga që jepet për pushimet vjetore të paguara është ajo që ekziston në momentin e marrjes së tyre.

    3. Nëse paga është e ndryshueshme, paga që jepet për pushimet vjetore të paguara përllogaritet mbi mesataren mujore të vitit paraardhës: është e indeksueshme.

    4. Paga për pushimet vjetore i paguhet punëmarrësit në momentin e marrjes së tyre.

    5. Kur marrëdhënia e punës ka përfunduar dhe punëmarrësit nuk i janë dhënë pushimet vjetore që i takojnë, ai ka të drejtë për një shpërblim të barabartë me pagën e këtyre pushimeve.

    6. Nëse gjatë pushimeve vjetore të paguara punëmarrësi kryen një punë të pagueshme nga të tretët, në kundërshtim të interesave legjitime të punëdhënësit, ky i fundit mund të mos i japë pagën për pushimet e paguara ose mund të kërkojë rikthimin e pagës së parapaguar.

  • Neni 95 - Regjistri
  • Punëdhënësit janë të detyruar të mbajnë regjistrat e pagave dhe të derdhjes së kontributeve të aktualizuara çdo muaj për të gjithë punëmarrësit, të cilët punojnë për ta dhe ta paraqesin këtë regjistër sa herë do të kërkohet nga inspektorët e punës.
    Punëdhënësit duhet të mbajnë një regjistër, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj, ku të shënohet për çdo punëmarrës data e fillimit të punës, kohëzgjatja e pushimit që i takon, datat në të cilat janë marrë pushimet dhe pagën e dhënë për pushimet vjetore të paguara.

  • Neni 96 - Pushime të tjera
  • 1. Në rast martese ose vdekjeje të bashkëshortit, paraardhësve ose pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë, punëmarrësi përfiton 5 ditë pushimi ditor të paguar.

    2. Në rast sëmundjeje të rëndë të paraardhësve ose pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë, e vërtetuar me raport mjekësor, punëmarrësi përfiton jo më shumë se 10 ditë pushimi të papaguar.

  • Neni 97 - Dispozita të veçanta
  • 1. Këshilli i Ministrave përcakton rregulla të veçanta në favor të personave juridikë dhe fizikë në masën që situata e tyre e veçantë e bën atë të domosdoshme:

    a. për ndërmarrjet që sigurojnë furnizimin me bukë dhe mjete që dëmtohen shpejt;

    b. për hotelet, restorantet, kafenetë, institucionet kulturore, si dhe ndërmarrjet që furnizojnë hotelet, restorantet dhe kafenetë me rastin e ngjarjeve të veçanta;

    c. për ndërmarrjet që plotësojnë nevojat e turizimit;

    d. për ndërmarrjet e bujqësisë, të kopshtarisë, të pyjeve dhe të kullotave;

    e. për ndërmarrjet e transportit automobilistik, hekurudhor, detar dhe ajror, ndërmarrjet që furnizojnë mjete me karburant ose që i mirëmbajnë dhe riparojnë ato;

    f. për shtypin e shkruar dhe të folur;

    g. institucionet e arsimit, edukimit, kulturës, klinikat, spitalet, kabinetet mjekësore si dhe farmacitë;

    h. për kantieret, minierat dhe guroret që për arsye të gjendjes së tyre gjeografike ose të kushteve klimaterike ose teknike të veçanta, kërkojnë rregullim të veçantë të kohës së punës;

    i. për ndërmarrjet në të cilat është e domosdoshme puna e rregullt ose periodike e natës, të dielën ose ditët e festave zyrtare;
    -për arsye teknike, veçanërisht kur procesi i punës nuk mund të ndërpritet për shkak të rrezikut që sjell ndërprerja për punëmarrësit ose mjedisin ose për shkak të teknlogjisë së prodhimit;
    -për arsye ekonomike, veçanërisht kur ndërprerja ose rifillimi i procesit të punës kërkon shpenzime të mëdha investimi dhe amortizimi;

    j. personat, prania e të cilëve është e domosdoshme, si dhe për ata që kryejnë udhëtime të shpeshta për arsye pune.

    2. Janë të pavlefshme dispozitat e veçanta që cenojnë të drejtën e punëmarrësve për pushime vjetore të paguara siç përcaktohet në këtë Kod.