A. Përkufizim

  • Neni 12 - Kontratat e punës
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996;
    Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    Kontrata e punës është një marrëveshje ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit, që rregullon marrëdhëniet e punës dhe përmban të drejtat dhe detyrimet e palëve. Në kontratën e punës punëmarrësi merr përsipër të ofrojë punën ose shërbimin e vet për një periudhë të caktuar ose të pacaktuar kohe, në kuadër të organizimit dhe të urdhrave të një personi tjetër, të quajtur punëdhënës, i cili merr përsipër të paguajë një shpërblim.

  • Neni 13 - Kontrata e grupit
  • 1. Kur punëdhënësi lidh një kontratë me një grup punëmarrësish si tërësi, ai lidhet në mënyrë kontraktuese me secilin anëtar të grupit.

    2. është e pavlefshme çdo marrëveshje sipas së cilës punëmarrësi zotohet të përdorë si punëdhënës shërbimet e një të treti.

  • Neni 14 - Puna me kohë të pjesshme
  • 1. Me kontratën e punës me kohë të pjesshme, punëmarrësi pranon të punojë me orë, gjysmë dite pune ose ditë pune, për një kohëzgjatje normale javore ose mujore më të vogël se ajo e punëmarrësve që punojnë me kohë të plotë në të njëjtat kushte.

    2. Punëmarrësi me kohë pune të pjesshme gëzon të njëjtat të drejta, përpjesëtimisht si punëmarrësi me kohë të plotë pune.

  • Neni 15 - Puna në shtëpi
  • 1. Me kontratën e punës në shtëpi, punëmarrësi detyrohet të kryejë punën e tij vetëm ose me ndihmën e anëtarëve të familjes në shtëpinë e tij ose në një lokal tjetër të zgjedhur prej tij në bazë të varianteve të dhëna nga punëdhënësi.

    2. Punëmarrësi që punon në shtëpi gëzon të njëjtat të drejta si dhe punëmarrësi që punon në sipërmarrje. Kur punëmarrësi nuk punon në shtëpinë e tij, ai mund të kërkojë shtesë shpenzimesh për përdorimin e lokalit.

  • Neni 16 - Agjenti tregtar (Komisionerët)
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    1. Me kontratën e punës të agjentit tregtar, punëmarrësi (agjenti tregtar) detyrohet kundrejt pagesës të hyjë në bisedime ose të përfundojë marrëveshje për veprimtari të çdo lloj natyre qofshin, jashtë ndërmarrjes, sipas urdhrave dhe për llogari të punëdhënësit.

    2. Nuk konsiderohet si agjent tregtar personi që e ushtron këtë veprimtari në mënyrë të pavarur.

    3. Dispozitat e këtij Kodi zbatohen edhe për kontratën e agjentit tregtar si punëmarrës.

  • Neni 17 - Kontrata e mësimit të profesionit
  • 1. Me kontratën e mësimit të profesionit, mjeshtri mësues detyrohet të kualifikojë nxënësin sipas rregullave të profesionit dhe nxënësi të punojë në shërbim të mjeshtrit mësues për t’u kualifikuar.

    2. Dispozitat e këtij Kodi zbatohen edhe për kontratën e mësimit të profesionit.

  • Neni 18 - Dispozita për kontratat e veçanta
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    1. Këshilli i Ministrave mund të parashikojë rregulla të veçanta që zbatohen për kontratën e punës në shtëpi, kontratën e punës të agjentit që është i pavarur dhe kontratën e mësimit të profesionit.

    2. Këshilli i Ministrave mund të parashikojë rregulla të veçanta për punëmarrësit që punojnë në shtëpi, bujqësi, ndërtim, transporte, miniera, porte, si dhe për punëmarrësit e përkohshëm.