strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

B. Lindja e marrëdhënieve të punës

  • Neni 19 - Punësimi
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8085, datë 13.03.1996)
    (Ndryshuar me ligjin nr. 9125, datë 29.07.2003)

    1. Punëdhënësi punëson në mënyrë të drejtpërdrejtë punëmarrësin.

    2. Punëdhënësi, për të punësuar punëmarrësin, mund të përdorë shërbimet e zyrave shtetërore të punësimit ose të agjencive private të punësimit.

    3. Veprimtaria private e ndërmjetësimit në punë për qëllime fitimi i nënshtrohet të njëjtave rregulla që përcakton Këshilli i Ministrave për ushtrimin e veprimtarisë shtetërore të ndërmjetësimit në punë.

  • Neni 20 - Aftësia për të kontraktuar
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    1. Kanë të drejtë të lidhin kontratë pune:
    a. Personat që gëzojnë zotësi të plotë për të vepruar sipas dispozitave të Kodit Civil;
    b. personat me zotësi të kufizuar, por të autorizuar shprehimisht ose në heshtje për të kryer punë nga përfaqësuesi i tyre ligjor.

    2. Personat e përmendur në shkronjën “b” të këtij neni ushtrojnë të drejtat dhe përmbushin detyrimet që rrjedhin nga kontrata si gjithë punëmarrësit e tjerë dhe kanë të drejtë ta zgjidhin këtë kontratë.

  • Neni 21 - Forma e kontratës së punës
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)
    (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Kontrata e punës mund të lidhet dhe ndryshohet me gojë ose me shkrim. Ajo mund të ndryshohet vetëm në marrëveshje midis palëve. Çdo ndryshim i kontratës së shkruar, në dëm të punëmarrësit, duhet të përfundohet me shkrim.

    2. Kontrata e punës quhet e lidhur kur punëdhënësi pranon kryerjen e punës për një kohë të caktuar ose të pacaktuar, në kuadrin e organizimit dhe nën urdhrat e tij dhe që në bazë të këtyre rrethanave kryhet vetëm kundrejt pagesës.

    3. Kontrata e punës e lidhur me shkrim duhet të përmbajë sidomos:
    a. identitetin e palëve;
    b. vendin e punës;
    c. përshkrimin e përgjithshëm të punës;
    d. datën e fillimit të punës;
    e. kohëzgjatjen kur palët lidhin kontratë me afat të caktuar;
    f. kohëzgjatjen e pushimeve të paguara;
    g. afatin e njoftimit për zgjidhjen e kontratës;
    h. elementet përbërëse të pagës dhe datën e dhënies së saj;
    i. kohën normale javore të punës;
    j. kontrata e punës duhet të përmbajë dhe kontratën kolektive në fuqi.

    4. Kur kontrata e punës lidhet me gojë, punëdhënësi është i detyruar që, brenda 30 ditëve nga data e lidhjes së kontratës, të hartojë me shkrim dokumentin përkatës, të nënshkruar prej tij dhe punëmarrësit, ku të përfshihen sidomos elementet e parashikuara në pikën 3 të këtij neni. Moshartimi i këtij dokumenti me shkrim nuk cenon vlefshmërinë e kontratës, por sjell vetëm përgjegjësinë e punëdhënësit, sipas nenit 202 pika 2 të këtij Kodi.

    5. Informacioni lidhur me elementet e parashikuara në paragrafin e tretë shkronja “f”, “g”, “h” dhe “i”, në rast nevoje, jepet me anë referencash ndaj dispozitave të Kodit, të vendimeve të Këshillit të Ministrave ose të një kontrate kolektive.

  • Neni 22 - Kryerja e punës personalisht
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    1. Punëmarrësi kryen personalisht punën e ngarkuar, me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje parashikohet e kundërta.

    2. Nuk është i vlefshëm zotimi i punëmarrësit për t’i siguruar punëdhënësit një zëvendësues, kur ai nuk është i detyruar të punojë si pasojë e zbatimit të këtij Kodi.

    3. Punëmarrësi zëvendësohet ose ndihmohet nga një i tretë, me pëlqimin e shprehur ose në heshtje të punëdhënësit. Në këtë rast zëvendësuesi ose ndihmësi quhet punëmarrës i punëdhënësit. Çdo marrëveshje e kundërt është e pavlefshme.

  • Neni 23 - Detyrimi i bindjes
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)
    (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Punëmarrësi respekton urdhrat dhe udhëzimet e përgjithshme dhe të veçanta të punëdhënësit.

    2. Punëmarrësi nuk është i detyruar të zbatojë urdhrat dhe udhëzimet e përgjithshme dhe të veçanta të punëdhënësit, që ndryshojnë kushtet e kontratës së punës. Ndryshimi i kontratës bëhet me marrëveshje ndërmjet palëve.

    3. Punëmarrësi nuk është i detyruar të zbatojë urdhrat dhe udhëzimet e përgjithshme dhe të veçanta të punëdhënësit, që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tij.

  • Neni 24 - Detyrimi i kujdesit në punë
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    1. Punëmarrësi kryen me kujdes punën që i ngarkohet.

    2. Punëmarrësi për kryerjen e punës duhet të përdorë sipas rregullave të caktuara mjetet e punës, aparaturat, mjetet e punëdhënësit dhe pajisjet e vëna në dispozicion të tij.

  • Neni 25 - Detyrimi i dhënies llogari dhe i kthimit
  • 1. Punëmarrësi i jep llogari punëdhënësit për gjithçka të përfituar në emër të punëdhënësit gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij brenda kontratës, veçanërisht për shumat në para.

    2. Punëmarrësi i kthen menjëherë punëdhënësit gjithçka të marrë, me përjashtim të bashkshisheve dhe dhuratave vetjake për të.

    3. Punëmarrësi i kthen punëdhënësit menjëherë edhe gjithçka të prodhuar nga veprimtaria e tij në bazë të kontratës.