A. Ndalimi i konkurrencës pas përfundimit të marrëdhënieve të punës

  • Neni 28 - Kushtet
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Punëmarrësi mbi 18 vjeç mund të zotohet me shkrim kundrejt punëdhënësit që, pas përfundimit të punës, nuk do t’i bëjë atij konkurrencë në asnjë lloj mënyre, veçanërisht, nuk do të formojë një sipërmarrje konkurrente, nuk do të punojë dhe nuk do të interesohet për të.

    2. Marrëveshja për ndalimin e konkurrencës është e vlefshme vetëm nëse raportet e punës i kanë dhënë mundësinë punëmarrësit të ketë dijeni për sekretet e fabrikimit ose të veprimtarisë së punëdhënësit dhe nëse përdorimi i këtyre sekreteve mund t’i shkaktojë punëdhënësit një dëm të rëndë.

    3. Punëdhënësi mund të kërkojë zbatimin e marrëveshjes për ndalimin e konkurrencës vetëm nëse i ofron punëmarrësit, gjatë periudhës së ndalimit, jo më pak se 75 për qind të pagës që ai do të merrte po të vazhdonte të punonte për punëdhënësin. Kur paga është e ndryshueshme, shpërblimi llogaritet mbi bazën e pagës mesatare të vitit të mëparshëm dhe indeksohet.

  • Neni 29 - Kufizime
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)
    (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Marrëveshja duhet të përcaktojë qartë ndalimin e konkurrencës për vendin, kohën, llojin e veprimtarisë, për të mos dëmtuar të ardhmen ekonomike të punëmarrësit. Afati i ndalimit nuk mund të jetë më shumë se një vit.

    2. Gjykata mund të zvogëlojë elementet e sipërpërmendura për ndalimin e konkurrencës së tepruar, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat. Ajo mban parasysh veçanërisht nëse shpërblimi i dhënë nga punëdhënësi tejkalon minimumin e parashikuar në nenin 28.

  • Neni 30 - Përfundimi i ndalimit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Ndalimi i konkurrencës merr fund në afatin e caktuar në marrëveshje.

    2. Pavarësisht nga afati i caktuar në marrëveshje, ndalimi i konkurrencës përfundon nëse vërtetohet se punëdhënësi nuk ka më asnjë interes për vazhdimin e saj.

    3. Marrëveshja për ndalimin e konkurrencës nuk zbatohet kur punëdhënësi zgjidh kontratën për shkaqe të pajustifikuara ose kur punëmarrësi zgjidh kontratën për një shkak të justifikuar, që lidhet me punëdhënësin.

  • Neni 31 - Sanksione
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)
    (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Punëmarrësi, që shkel ndalimin për të bërë konkurrencë, duhet të çdëmtojë dëmin që i shkakton punëdhënësit.

    2. Nëse në marrëveshje është parashikuar dënimi me gjobë në rast shkeljeje të ndalimit të konkurrencës, punëmarrësi mund të vazhdojë veprimtarinë konkurruese, pasi ka paguar gjobën e caktuar, megjithatë ai duhet t’i paguajë punëdhënësit edhe diferencën ndërmjet gjobës dhe dëmit të shkaktuar.

    3. Nëse në marrëveshje është parashikuar dënimi me gjobë në rast shkeljeje të ndalimit të konkurrencës, gjykata mund të pakësojë gjobën, nëse ajo është e tepruar, duke marrë parasysh rrethanat që kanë çuar në këto shkelje.

    4. Punëdhënësi mund të kërkojë, kur ai e ka parashikuar shprehimisht këtë të drejtë me shkrim, përveç pagimit të gjobës dhe dëmshpërblimeve të tjera të parashikuara, edhe ndalimin e veprimtarisë konkurruese, nëse kjo masë është e justifikueshme, duke marrë parasysh interesat e cenuar ose të rrezikuar të punëdhënësit, si dhe sjelljen e punëmarrësit.