Neni 27 - Përgjegjësia e punëmarrësit

(Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)
(Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

1. Punëmarrësi përgjigjet ndaj punëdhënësit për dëmin që i shkakton kur shkel detyrimet kontraktuale me dashje ose nga pakujdesia.

2. Shkalla e kujdesit, që duhet të tregojë punëmarrësi në punë, varet nga njohuritë teknike, të nevojshme për të kryer punën e caktuar, duke pasur parasysh aftësitë dhe cilësitë e punëmarrësit, që punëdhënësi i njihte ose duhet t’i kishte njohur. Dëmi, që lidhet në mënyrë të qenësishme me kryerjen e punës, përballohet nga punëdhënësi.

3. Dëmi përfshin dëmin real dhe fitimin e munguar.

4. Gjykata mund të shkarkojë plotësisht ose pjesërisht punëmarrësin nga detyrimi për shpërblimin e dëmit kur:
- punëmarrësi ka vepruar me pakujdesi të lehtë;
- punëdhënësi, në organizimin dhe kontrollin e punës, bën të njëjtin gabim që lidhet me shkaktimin e dëmit;
- detyrimi për të zhdëmtuar plotësisht dëmin s’është i përballueshëm duke pasur parasysh burimet e të ardhurave të punëmarrësit.