strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU VII - DETYRIME TË PËRGJITHSHME TË PUNËDHËNËSIT

  • Neni 32 - Mbrojta e personalitetit
  • 1. Punëdhënësi respekton dhe mbron në raportet e punës personalitetin e punëmarrësit.

    2. Ai duhet të parandalojë çdo qëndrim që cenon dinjitetin e punëmarrësit.

    3. Punëdhënësi ndalohet të kryejë çdo veprim që përbën shqetësim seksual karshi punëmarrësit dhe nuk lejon kryerjen e veprimeve të tilla nga punëmarrësit e tjerë.
    Me shqetësim seksual kuptohet çdo shqetësim që dëmton në mënyrë të dukshme gjendjen psikologjike të punëmarrësit për shkak të seksit.

  • Neni 33 - Detyrimi
  • Punëdhënësi, gjatë marrëdhënieve të punës, nuk duhet të mbledhë informata lidhur me punëmarrësit, përveç rasteve, kur këto informata lidhen me aftësitë profesionale të punëmarrësve ose janë të nevojshme për zbatimin e kontratës.

  • Neni 34 - Kontrolli i sendeve vetjake
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Punëmarrësi dhe sendet e tij vetjake nuk bëhen objekt i kontrollit, me përjashtim të rasteve kur duhet të mbrohet pasuria e punëdhënësit, punëmarrësve të personit juridik ose personave të tretë nga një cenim i paligjshëm.

    2. Kontrolli kryhet gjatë kohës së punës nga punëdhënësi ose një person i caktuar prej tij.
    Personi që kontrollon dhe personi që kontrollohet duhet të jenë të së njëjtës gjini.

    3. Kontrolli kryhet brenda territorit të ndërmarrjes, në prani të një punëmarrësi tjetër, të pranuar nga punëmarrësi që kontrollohet.

  • Neni 35 - Certifikata e punës
  • 1. Punëmarrësi i kërkon punëdhënësit në çdo kohë një certifikatë mbi natyrën dhe kohëzgjatjen e punës, cilësinë e saj dhe sjelljen e tij.

    2. Me kërkesën e shprehur të punëmarrësit, certifikata përmban të dhëna vetëm mbi natyrën dhe kohëzgjatjen e marrëdhënieve të punës.

    3. Punëdhënësi nuk ka të drejtë t’u japë të tretëve informacione për punëmarrësit e tij me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj ose me pëlqimin e punëmarrësit.

  • Neni 36 - Regjistri
  • 1. Punëdhënësi mban regjistrin e punëmarrësve të punësuar në ndërmarrje.

    2. Përmbajtja e regjistrit caktohet nga dispozitat e këtij Kodi dhe me vendim të Këshillit të Ministrave.

  • Neni 37 - Masa disiplinore
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, date 29.07.2003)

    Masat disiplinore parashikohen kryesisht në kontratën kolektive të punës. Në çdo rast kontrata individuale duhet t’i referohet akteve përkatëse, lidhur me masat disiplinore

  • Neni 38 - Vënia në dispozicion e kodit
  • Punëdhënësi duhet të vërë në dispozicion të punëmarrësve në çdo ndërmarrje një kopje të Kodit të Punës.

  • Neni 39 - Përgjegjësia e punëdhënësit
  • 1. Punëdhënësi për të parandaluar aksidentet dhe sëmundjet profesionale duhet të përcaktojë qartë rregullat e sigurimit teknik.

    2. Punëdhënësi, duhet të paguajë diferencën midis dëmit dhe shpërblimit që merr punëmarrësi nga sigurimet shoqërore, kur aksidenti ose sëmundja profesionale është pasojë e fajësisë së rëndë të punëdhënësit.

    3. Kur punëdhënësi nuk ka regjistruar punëmarrësin në sigurimet shoqërore, ai duhet të përballojë të gjitha shpenzimet që ka bërë punëmarrësi si rezultat i aksidentit ose sëmundjes profesionale, si dhe të gjitha dëmet si pasojë e mosregjistrimit.