strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

B. MBROJTJA E VEÇANTE PER GRATE

  • Neni 104 - Ndalimi i punës për gratë shtatzëna dhe nënat e reja
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Ndalohet puna për gratë shtatzëna 35 ditë para lindjes dhe 42 ditë pas lindjes. Kur gruaja shtatzënë ka në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e parë bëhet 60 ditë.

    2. Gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji nuk mund të punësohen në punë të rënda ose të rrezikshme, që dëmtojnë shëndetin e nënës dhe të fëmijës. Këshilli i Ministrave përcakton punët e rënda ose të rrezikshme, që dëmtojnë shëndetin e nënës dhe të fëmijës, si dhe rregulla të veçanta për kushtet e punës për gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji.

  • Neni 105 - Leja e lindjes
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)
    (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Të ardhurat, që përfitohen në rast lejelindjeje, përcaktohen nga ligji mbi sigurimet shoqërore.

    2. Pas periudhës 42-ditore të paslindjes, gruaja vendos vetë nëse dëshiron të punojë ose të përfitojë nga sigurimet shoqërore.

  • Neni 105/a - Mbrojtja e punësimit të gruas
  • (Shtuar me ligjin nr. 9125, date 29.07.2003)

    1. Ndalohen testet e shtatzënisë para punësimit, kur kërkohen nga punëdhënësi, përveç rasteve kur vendi i punës kërkon të punohet në kushte që mund të ndikojnë negativisht në shtatzëninë ose që mund të dëmtojnë jetën apo shëndetin e nënës ose të fëmijës.

    2. Në rastet e zgjidhjes së kontratës së punës nga punëdhënësi, kur gruaja është në punë gjatë periudhës së shtatzënisë ose është kthyer në punë pas lindjes së fëmijës, sipas nenit 30 të këtij Kodi, i takon punëdhënësit të vërtetojë se shkaku i pushimit nga puna nuk ka qenë shtatzënia ose lindja e fëmijës.

  • Neni 106 - Leja e birësimit
  • 1. Në rast birësimi të një fëmije të porsalindur, gruaja ka të drejtën e lejes së parashikuar nga ligji mbi sigurimet shoqërore.

    2. Gjatë kësaj periudhe punëdhënësi nuk mund ta detyrojë të punojë gruan që ka birësuar fëmijë.

  • Neni 107 - Zgjidhja e kontratës
  • 1. është e pavlefshme zgjidhja e kontratës së punës e njoftuar nga punëdhënësi në periudhën gjatë së cilës gruaja pretendon për të përfituar të ardhura nga sigurimet shoqërore në rast lindjeje ose birësimi.

    2. Kur zgjidhja e kontratës së punës është njoftuar para fillimit të periudhës së mbrojtjes, të parashikuar në nenin 104 dhe afati i njoftimit nuk ka përfunduar, ky afat pezullohet gjatë periudhës së mbrojtjes. Afati i njoftimit rifillon të ecë vetëm pas përfundimit të periudhës së mbrojtjes.

  • Neni 108 - Puna e natës
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Ndalohet puna e natës për gratë shtatzëna.

    2. Këshilli i Ministrave vendos rregulla të veçanta për rastet kur lejohet puna e natës për gra dhe për nënat me fëmijë në gji.