Neni 110 - Vlera e pagës

(Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

1. Punëdhënësi i paguan punëmarrësit pagën sipas dispozitave të kontratës kolektive ose kontratës individuale, dhe në mungesë të tyre, punëdhënësi detyrohet të paguajë pagën e zakonshme për atë lloj pune të caktuar.

2. Paga mund të përllogaritet në kohë, sipas punës së kryer (pagë në njësi, në detyrë, ose me komision); paga mund të llogaritet gjithashtu në funksion të rezultateve të ndërmarrjes (me pjesëmarrje në fitim ose në xhiron e të ardhurave).

3. Pagesa e punës jo në bazë të kriterit kohë, duhet të llogaritet në mënyrë që t’i japë mundësi punëmarrësit me aftësi mesatare dhe që punon normalisht të përfitojë të paktën të njëjtin pagë me atë të punëmarrësit që paguhet me kohë dhe që kryen të njëjtën punë.