Neni 115 - Barazi në shpërblim midis sekseve

1. Punëdhënësi jep të njëjtën pagë si për gratë edhe për burrat që kryejnë punë me vlerë të barabartë.

2. Nuk konsiderohen si diskriminuese, diferencat në pagë, që bazohen në kritere objektive pavarësisht nga seksi, si cilësia dhe sasia e punës, kualifikimi profesional dhe vjetërsia në punë.

3. Kur punëmarrësi parashtron të dhëna serioze që lënë të kuptojnë ekzistencën e një diskriminimi, punëdhënësi është i detyruar të provojë të kundërtën.

4. Diskriminimi eliminohet kur punëdhënësi i akordon punëmarrësit të diskriminuar një shpërblim që përfshin gjithë avantazhet që ka punëmarrësi i seksit tjetër.

5. Këshilli i Ministrave mund të parashikojë rregulla të tjera për zbatimin e barazisë së punëmarrësve në shpërblim.