strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

B. Pagesa

  • Neni 116 - Domosdoshmëria
  • 1. Punëdhënësi i paguan rregullisht pagën punëmarrësit çdo dy javë, kur paga llogaritet me orë, ditë ose javë dhe në fund të çdo muaji kur llogaritet me muaj, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryse në marrëveshje me shkrim.

    2. Pjesëmarrja në rezultatin vjetor paguhet kur ai bëhet i ditur, por jo me shumë se tre muaj pas përfundimit të vitit financiar.

    3. Punëdhënësi i jep punëmarrësit paradhënie brenda masës së punës së kryer kur është e mundshme dhe e nevojshme. Paradhëniet mund të zbriten nga paga në ditën e pagesës.

  • Neni 117 - Zbritjet nga paga
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    1. Punëdhënësi zbret nga paga e punëmarrësit tatimin mbi të ardhurat dhe kontributin e sigurimeve shoqërore shëndetësore të parashikuara me ligj, me akte nënligjore, me kontrata kolektive ose me kontrata individuale.

    2. Punëdhënësi vetëm me autorizim me shkrim nga punëmarrësi mund të zbresë nga paga kuotizacionet sindikale. Ky autorizim mund të shfuqizohet në çdo kohë.

  • Neni 118 - Mënyra e pagesës
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)
    (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Paga duhet të paguhet në monedhë shqiptare, me përjashtim të rasteve të parashikuara ndryshe nga marrëveshja ndërmjet palëve. Ajo mund të paguhet edhe me çek bankar, çek postar ose urdhër pagese, kur kjo lloj pagese është e nevojshme për shkak të rrethanave të veçanta ose kur parashikohet në kontratën kolektive a në një vendim arbitrazhi. Kur kjo lloj pagese nuk është parashikuar ose vendosur, merret pëlqimi i punëmarrësit të interesuar. Punëdhënësi përgjigjet financiarisht ndaj punëmarrësit, kur banka nuk mund të paguajë brenda 30 ditëve nga data e derdhjes së shumës, për llogari të punëmarrësit.

    2. Për pagën në natyrë palët merret vesh vetëm me shkrim dhe brenda kufijve të caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Paga në natyrë ka të bëjë vetëm me strehimin dhe ushqimin që konsumohet gjatë pushimit në ndërmarrje nga punëmarrësi.

  • Neni 119 - Përllogaritja e pagesës
  • 1. Punëdhënësi i jep punëmarrësit për çdo pagë përllogaritjen ku përfshihet shuma e pagës, bazat e përllogaritjes, nëse kjo është e ndryshueshme, si dhe të gjitha zbritjet prej saj.

    2. Kur paga nuk është llogaritur në kohë, punëdhënësi është i detyruar t’i japë informacionin e nevojshëm punëmarrësit ose në vend të tij një eksperti të caktuar në marrëveshje mes tyre dhe në rast të kundërt nga gjykata.
    Ai autorizon punëmarrësin ose ekspertin të konsultohen me librat dhe dokumentacionin e nevojshëm në masën që ky kontroll e kërkon atë.

  • Neni 120 - Interesat në rast vonese
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    Në rast të pagesës së pagës me vonesë, përqindja vjetore e interesit në rast vonese është jo me pak se 10 për qind e shumës së papaguar dhe në të gjitha rastet jo më pak se 150 për qind e inflacionit gjatë periudhës së vonesës.