Neni 154 - Zgjidhja e menjëhershme e justifikuar e kontratës nga punëdhënësi ose punëmarrësi

(Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

1. Kontrata e punës përfundon me zgjidhjen e menjëhershme të saj.

2. Kur shkaqet e justifikuara të zgjidhjes së kontratës me efekt të menjëhershëm lidhen me mosrespektimin e kontratës nga njëra palë, ajo duhet të ndreqë tërësisht dëmin e shkaktuar palës tjetër, si rrjedhim i mosrespektimit të afatit të njoftimit.

3. Gjykata, në rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të rëndë, vendos që punëdhësi të mos paguajë dëmshpërblimin e parashikuar në nenin 144 pika 5.

4. Punëmarrësi i pushuar nga puna në mënyrë të menjëhershme e të justifikuar humbet të drejtën e shpërblimit për vjetërsi, por ruan të drejtën e shpërblimit për pushimet e pamarra. Çdo pretendim tjetër që buron nga marrëdhëniet e punës mund të jetë objekt shqyrtimi gjyqësor.