Neni 164 - Procedura e njohjes së organizatës ose organizatave më të përfaqësuara të punëmarrësve

(Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)
(Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

l. Nëse përfaqësueshmëria e organizatës ose organizatave të punëmarrësve, që kanë kërkuar fillimin e bisedimeve kundërshtohet, çdo organizatë e punëmarrësve e interesuar duhet t’i dorëzojë punëdhënësit ose organizatës së punëdhënësve, me shpenzimet e veta, provën e përfaqësueshmërisë. Kjo provë paraqitet në formën e një vërtetimi noterial, ku noteri vërteton numrin e anëtarëve të organizatës së punëmarrësve, në bazë të kuotizacioneve të paguara gjatë dy vjetëve të fundit ose deklarimeve, me shkrim ose me gojë, të punëmarrësve anëtarë.

2. Organizata që provon se ka numrin më të madh të anëtarëve punëmarrës në ndërmarrje ose degë, vlerësohet si organizata më e përfaqësuar. Nëse disa organizata punëmarrësish paraqiten së bashku, vlerësohet më i përfaqësuar grupi i organizatave që ka numrin më të madh të anëtarëve.

3. Nëse punëdhënësi, organizata e punëdhënësve ose organizatat e punëmarrësve kundërshtojnë vërtetimin noterial, ata duhet të dorëzojnë një ankim në zyrën e pajtimit të qarkut (nëse bisedimet për kontratën kolektive nuk kalojnë kufijtë e një qarku), ose në Zyrën Kombëtare të Pajtimit (nëse bisedimet për kontratën kolektive shtrihen në më shumë se një qark). Ky ankim duhet dorëzuar brenda dy javëve, duke filluar nga data e shpalljes së rezultatit sipas vërtetimit noterial. Zyra e pajtimit shqyrton të gjitha provat dhe vendos për përfaqësueshmërinë e organizatës ose organizatave të punëmarrësve dhe e shpall atë brenda dy javëve nga data e vënies së saj në lëvizje. Kur punëdhënësi ose organizata e punëdhënësve nuk e pranojnë vendimin e zyrës së pajtimit, ata kanë të drejtë të kërkojnë organizimin e një votimi të fshehtë brenda dy javëve nga data e shpalljes së vendimit.
Mënyra e organizimit dhe procedura e votimit rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Përfaqësueshmëria e organizatës ose organizatave të punëmarrësve nuk mund të kundërshtohet gjatë dy vjetëve, duke filluar nga data e shpalljes së vendimit nga zyra e pajtimit, të pranuar nga palët, ose të rezultatit nga komisioni i votimit.

5. shfuqizohet.