strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

B. Liritë sindikale

  • Neni 181 - Parimet
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

    1. Organizata sindikale organizon lirisht administrimin dhe veprimtarinë e saj; ajo harton lirisht programin e saj.

    2. Çdo organizatë sindikale duhet të zhvillojë veprimtarinë e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    3. Ndalohet diskriminimi ndaj përfaqësuesve të sindikatës.

    4. Zgjidhja nga punëdhënësi e kontratës së punës për përfaqësuesit e organizatës së punëmarrësve, pa pëlqimin e kësaj organizate, është e pavlefshme, me përjashtim të rasteve kur punëmarrësi shkel ligjin, kontratën kolektive të punës, kontratën individuale të punës ose nëse punëdhënësi provon që zgjidhja e kontratës është e domosdoshme për veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjes.

    5. Ndryshimi i kushteve të kontratës së punës të përfaqësuesve të organizatës së punëmarrësve mund të bëhet vetëm me pëlqimin e punëmarrësit dhe të kësaj organizate. Punëdhënësi nuk mund të ndryshojë vendin e punës së përfaqësuesve të organizatës së punëmarrësve, edhe nëse ky ndryshim është parashikuar nga kontrata e punës, pa pëlqimin e punëmarrësit dhe të kësaj organizate, me përjashtim të rasteve kur ndryshimi është i domosdoshëm për veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjes.

    6. Nëse përfaqësuesit e organizatave të punëmarrësve, që veprojnë në shkallë kombëtare, gjatë mandatit të tyre punojnë dhe paguhen nga këto organizata, kontrata e tyre e punës me punëdhënësin pezullohet. Në përfundim të mandatit pezullimi mbaron dhe kontrata e punës rihyn në fuqi. Që nga ky çast, palët kanë të gjitha të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga kontrata e punës.

    7. Punëdhënësi duhet të krijojë kushte dhe lehtësitë e nevojshme për përfaqësuesit e zgjedhur të organizatave të punëmarrësve për ushtrimin normalisht të funksioneve të tyre, të cilat përcaktohen në kontratën kolektive të punës. Për këtë qëllim punëdhënësi duhet:
    a) të lejojë hyrjen e tyre në mjediset e punës;
    b) të lejojë shpërndarjen e njoftimeve, broshurave, publikimeve dhe dokumenteve të tjera të organizatës së punëmarrësve;
    c) t’u japë kohën e nevojshme për të marrë pjesë në veprimtaritë e këtyre organizatave brenda dhe jashtë vendit;
    ç) të lejojë dhe t’u krijojë lehtësi në mjediset e punës për grumbullimin e kuotizacioneve të organizatës, si dhe për organizimin e mbledhjeve dhe të takimeve.

  • Neni 182 - Mbrojtja e të drejtave të anëtarëve në gjykatë
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)

    Çdo organizatë punëmarrësish e njohur si person juridik mund t’i drejtohet gjykatës për mbrojtjen e interesave të secilit prej anëtarëve të saj, për të arritur zbatimin nga punëdhënësi të dispozitave të ligjit, kontratës kolektive ose individuale të punës.

  • Neni 183 - Burimet
  • 1. Burimet e organizatave sindikale përbëhen nga kuotizacionet, dhurimet, të ardhurat e veprimtarive shoqërore, ekonomike ose kulturore.

    2. Të ardhurat e siguruara nga organizatat sindikale përjashtohen nga taksat për aq sa parashikohet në ligjin fiskal.