Neni 197/6 - Shërbimet minimale

(Shtuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

1. Greva nuk mund të ushtrohet nëse nuk sigurohet kryerja e shërbimit minimal.

2. Shërbimet minimale mund të kërkohen në sektorët e shërbimeve, për plotësimin e nevojave të rëndësisë themelore të popullsisë, me qëllim që asaj t’i sigurohet plotësimi i këtyre nevojave.

3. Për plotësimin e shërbimeve minimale, sindikatat duhet të përcaktojnë dhe të sigurojnë, gjatë zhvillimit të grevës, punonjësit e nevojshëm për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e makinerive dhe të pajisjeve.

4. Punonjësit e përmendur në pikën 3 caktohen me marrëveshje ndërmjet punëdhënësit dhe sindikatës ose sindikatave përkatëse të punëmarrësve. Kur palët nuk arrijnë të merren vesh për numrin dhe detyrat e punonjësve përkatës për sigurimin e shërbimeve minimale, mosmarrëveshja zgjidhet detyrimisht dhe përfundimisht nga një arbitër i caktuar nga Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale ose organi administrativ i autorizuar prej tij, në këshillim me palët. Arbitri duhet të vendosë brenda 24 orëve nga çasti i caktimit të tij.