Neni 193 - Zyra e pajtimit

(ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)

1. Në rast dështimi të ndërmjetësit, Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale ose organi administrativ i autorizuar prej tij, vë në lëvizje zyrën e pajtimit.

2. Zyra mund të thërrasë çdo palë të interesuar. Palët kanë detyrimin të paraqiten në seancën e shqyrtimit dhe të marrin pjesë në debate, duke paraqitur të dhënat që kërkon zyra.

3. Me kërkesën e arsyetuar të njërës prej palëve, vetëm kryetari merr të dhëna për dokumentet e paraqitura nga kjo palë. Më pas ai ua njofton ato, për aq sa e gjykon të arsyeshme, anëtarëve të zyrës së pajtimit.

4. Zyra e pajtimit përpiqet të ndihmojë pajtimin e palëve.

5. Zyra e pajtimit i paraqet palëve një propozim pajtimi, të cilin ajo mund të vendosë që ta bëjë publik.

6. Palët mund të ndihmohen nga çdo person i caktuar prej tyre.

7. Procedura e pajtimit është e detyrueshme dhe zgjat deri në 20 ditë.

8. Rregullat e tjera procedurale caktohen nga kryetari i zyrës së pajtimit.