A. Zotësia juridike

  • Neni 1
  • Çdo person fizik gëzon zotësi të plotë e të barabartë për të pasur të drejta dhe detyrime civile, brenda kufijve të caktuar me ligj.

  • Neni 2
  • Zotësia juridike fillon me lindjen e personit gjallë dhe mbaron me vdekjen e tij. Fëmija kur lind i gjallë gëzon zotësi juridike që nga koha e zënies.

  • Neni 3
  • Të huajt gëzojnë po ato të drejta e detyrime që u njihen shtetasve shqiptarë, përveç përjashtimeve të caktuara me ligj.

  • Neni 4
  • Personit fizik nuk mund t’i kufizohen të drejtat civile, përveç përjashtimeve të caktuara me ligj.
    Veprimi juridik që kufizon zotësinë juridike të një personi fizik, është i pavlefshëm.