strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

D. Shpallja e zhdukjes dhe e vdekjes së një personi

  • Neni 15
  • Personi që mungon nga vendi i banimit ose i vendqëndrimit të fundit të tij dhe për të cilin nuk ka lajme për më shumë se dy vjet, me kërkesën e çdo të interesuari mund të shpallet i zhdukur me vendim të gjykatës.
    Kur dita e lajmeve të fundit nuk mund të caktohet, afati i mësipërm fillon nga dita e parë e muajit pasardhës në të cilin janë marrë lajmet e fundit. Kur muaji nuk mund të caktohet, afati fillon nga dita 1 janar e vitit të mëpasëm.

  • Neni 16
  • Me shpalljen e zhdukjes së një personi, për administrimin e pasurisë së tij caktohet një kujdestar.
    Vendimi i gjykatës, me të cilin një person është shpallur i zhdukur, botohet në Fletoren Zyrtare dhe i dërgohet për regjistrim zyrës përkatëse të gjendjes civile.

  • Neni 17
  • Personi që është shpallur i zhdukur, me kërkesën e çdo të interesuari, mund të shpallet i vdekur me vendim të gjykatës, kur kanë kaluar pa patur lajme katër vjet nga dita që është shpallur i zhdukur.

  • Neni 18
  • Personi që ka humbur gjatë veprimeve luftarake dhe kjo humbje vërtetohet nga organet kompetente ushtarake, në rast se kanë kaluar pa patur lajme dy vjet, nga dita që ka hyrë në fuqi marrëveshja e paqes ose tre vjet nga mbarimi i veprimeve luftarake, mund të shpallet i vdekur me vendim të gjykatës, pa qenë nevoja të shpallet më parë i zhdukur.

  • Neni 19
  • Personi që ka humbur gjatë një fatkeqësie natyrore ose në rrethana që bëjnë të besohet se ka vdekur, mund të shpallet si i tillë me vendim të gjykatës, kur kanë kaluar pa patur lajme dy vjet nga dita që ka ngjarë fatkeqësia, pa qenë e nevojshme të shpallet më parë i zhdukur.
    Kur nuk caktohet dita në të cilën ka ndodhur fatkeqësia, afati dy vjeçar fillon nga dita e parë e muajit që vjen pas atij në të cilin ka ndodhur fatkeqësia dhe, kur nuk mund të caktohet as muaji, afati fillon nga dita e parë e muajit janar të vitit të mëpasëm.

  • Neni 20
  • Kur dy ose më shumë persona kanë vdekur dhe nuk mund të provohet kush prej tyre ka vdekur më parë, për efekte juridike, quhet se të gjithë kanë vdekur në një kohë.

  • Neni 21
  • Kur shpallet vdekja e një personi të zhdukur, caktohet dita se kur ka ngjarë ajo. Kur kjo ditë nuk është e mundur të vërtetohet me saktësi, gjykata e cakton atë sipas rregullave të parashikuara në nenet e këtij Kodi.
    Me kërkesën e çdo të interesuari, gjykata që ka dhënë vendimin, mund të ndryshojë datën e vdekjes, kur vërtetohet se personi ka vdekur në një ditë tjetër.

  • Neni 22
  • Vdekja e shpallur me vendim të gjykatës barazohet në të gjitha pasojat juridike me vdekjen e vërtetë.
    Vendimi i gjykatës me të cilin një person është shpallur i vdekur, botohet në Fletoren Zyrtare dhe i dërgohet për regjistrim zyrës përkatëse të gjendjes civile.

  • Neni 23
  • Kur personi që është shpallur i vdekur del se është i gjallë, me kërkesën e tij ose të çdo të interesuari, vendimi prishet nga gjykata që e ka dhënë.
    Personi që del se është gjallë ka të drejtë të kërkojë pasurinë e tij dhe pasurinë e fituar me anë të saj, qoftë edhe nga personat e tretë që e kanë fituar nga ata, të cilëve u ka kaluar kjo pasuri për shkak të 18 deklarimit të vdekjes së tij, në kufijtë dhe kushtet e parashikuara nga ky Kod e nga Kodi i Familjes.