strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Organizimi i shoqatës

  • Neni 44
  • Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve ose e përfaqësuesve të tyre, është organi më i lartë i shoqatës.
    Ajo thirret nga organi drejtues, sipas dispozitave përkatëse të statutit, si dhe kur e kërkon një e pesta e anëtarëve.

  • Neni 45
  • Mbledhja e përgjithshme vendos për pranimin ose përjashtimin e anëtarëve dhe për çdo çështje tjetër, që nuk është lënë në kompetencën e ndonjë organi tjetër të shoqatës.
    Ajo ushtron posaçërisht mbikëqyrjen mbi të ardhurat dhe veprimet e shoqatës, si dhe mbi objektet pasurore të saj.

  • Neni 46
  • (Ndryshuar paragrafi i dytë dhe shtuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 8)

    Të gjithë anëtarët e shoqatës kanë të drejtë vote të barabartë në mbledhjen e përgjithshme.
    Anëtari i shoqatës nuk merr pjesë në diskutim dhe votim në rastet kur vetë ose bashkëshorti, fëmijët, gjinia a krushqia e tij janë në konflikt interesash me shoqatën, lidhur me një çështje të rendit të ditës.
    Miratohen me shumicën e të gjithë anëtarëve të shoqatës vendimet për ndryshimin e statutit dhe për shpërndarjen e shoqatës, përveç kur në statut parashikohet një shumicë më e lartë votimi.

  • Neni 47
  • Organi drejtues ka të drejtën dhe detyrën të kujdeset për interesat e shoqatës, t’i mbrojë ato, si dhe të përfaqësojë shoqatën sipas kompetencave që i janë dhënë nga statuti.

  • Neni 48
  • Pranimi i anëtarëve të rinj, që përmbushin kushtet e nevojshme, mund të lejohet në çdo kohë.
    E drejta për të dhënë dorëheqjen është e garantuar, por me kusht që të jetë paraqitur së paku gjashtë muaj para mbarimit të vitit kalendarik ose brenda afatit të parashikuar në statut.

  • Neni 49
  • E drejta e anëtarësisë në shoqatë nuk mund të tjetërsohet dhe as të kalohet me anë trashëgimie.

  • Neni 50
  • (Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 9)

    Anëtari, që largohet ose përjashtohet nga shoqata, përgjigjet për detyrimet e saj ndaj të tretëve deri në çastin e largimit të tij dhe nuk ka të drejta mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të saj.
    Ata kanë detyrën të derdhin kuotat për kohën gjatë së cilës kanë bërë pjesë në shoqatë.

  • Neni 51
  • Çdo anëtar ka të drejtë të kundërshtojë në gjykatën kompetente vendimet e shoqatës që vijnë në kundërshtim me ligjin ose me statutin.
    Ky kundërshtim mund të bëhet brenda një muaji nga dita kur anëtari ka marrë njoftimin për atë vendim.