A. Pezullimi i parashkrimit

  • Neni 129
  • Parashkrimi pezullohet:
    a) midis bashkëshortëve deri në ditën kur ka marrë formë të prerë vendimi gjyqësor me të cilin është zgjidhur martesa;
    b) midis fëmijëve dhe prindërve gjersa këta ushtrojnë të drejtën prindërore;
    c) midis personave që ndodhen nën kujdestari dhe kujdestarëve të tyre gjersa vazhdon kujdestaria;
    ç) për paditë e personave, pasuria e të cilëve është vënë në administrim, kundër administruesve përkatës të caktuar nga gjykata ose nga një organ tjetër kompetent shtetëror, gjersa të jetë miratuar raporti përfundimtar i llogarive;
    d) për paditë e të miturve dhe personave të tjerë, që nuk kanë zotësi për të vepruar gjersa t’u emërohet përfaqësuesi ose të fitojnë këtë zotësi, si edhe për gjashtë muaj pasi është emëruar përfaqësuesi ose pasi kanë fituar zotësinë për të vepruar;
    dh) për paditë e personit juridik kundër administratorëve të vet, gjersa këta vazhdojnë këtë detyrë pranë tij;
    e) për paditë me objekt shpërblimin përkatës, të rrjedhura nga dëmtimi i shëndetit ose nga shkaktimi i vdekjes, pezullimi i parashkrimit vazhdon nga dita kur i është paraqitur kërkesa organit të sigurimeve shoqërore shtetërore dhe deri në ditën kur është caktuar pensioni ose është refuzuar ajo kërkesë;
    ë) kur ka forcë madhore.

  • Neni 130
  • Koha e pezullimit nuk llogaritet në afatin e parashkrimit. Kur pas zhdukjes së shkakut pezullues, koha që mbetet për t’u plotësuar parashkrimi është më e shkurtër se gjashtë muaj, ajo zgjatet deri në gjashtë muaj.