Të drejtat dhe detyrimet e pronarit

  • Neni 153
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 21)

    Askush nuk mund të shpronësohet ose t’i kufizohet e drejta e ushtrimit të së drejtës të pronës që barazohet me shpronësimin, përveçse kur këtë e kërkojnë interesa publike dhe kurdoherë kundrejt një shpërblimi të drejtë.

  • Neni 154
  • E drejta e pronësisë mbi tokën shtrihet gjer në lartësinë dhe thellësinë që është e dobishme për ushtrimin e saj, në kushtet e parashikuara me ligj.

  • Neni 155
  • Pronari i një toke, pasi më parë t’i ketë kërkuar fqinjit që të presë degët e pemëve dhe rrënjët që i futen në tokën e tij, ka të drejtë t’i presë vetë ato, në rast se i sjellin dëm, si dhe të vjelë frutat dhe t’i perdorë ato për vete.
    Frutat që bien nga pemët mbi tokë, i përkasin pronarit të tokës ku ato kanë rënë.

  • Neni 156
  • Pronari i një toke që ndodhet buzë një rrjedhe uji ose burimi publik, ka të drejtë t’i përdorë ato deri në masën që nuk dëmton interesat e pronarëve të tokave të tjera, përveç kur përdorimi rregullohet me dispozita të veçanta.

  • Neni 157
  • Pronari i një toke mund t’i kërkojë në çdo kohë pronarit të tokës fqinje, që me shpenzime të përbashkëta, të vendosen në kufijtë e tokave të tyre shenja të dukshme dallimi ose t’i ndreqin ato kur janë të dëmtuara.
    Kur kufiri ndërmjet dy tokave është i paqartë dhe pronarët nuk e përcaktojnë vetë atë, secili prej tyre mund të kërkojë saktësimin e tij nga gjykata.

  • Neni 158
  • Kur mbillen drurë e shkurre në kufijtë e pronave, pronarët janë të detyruar të mbajnë largësitë e caktuara me dispozita të veçanta e kur nuk ka të tilla, nga zakonet e vendit, përveç kur pronari fqinjë ka lejuar vetë ose kur kufiri është në një rrugë ose rrjedhë uji publike.
    Në mungesë të këtyre rregullave, largësitë janë: tre metra për drurët me trup të lartë dhe dy metra për drurët e tjerë.
    Këto largësi nuk zbatohen për drurët e shkurret, lartësia e të cilëve nuk e kalon murin ndarës të pronave.

  • Neni 159
  • Pronari është i lirë në përdorimin e sendit, pa dëmtuar të drejtat e personave të tjerë dhe brenda kufijve që caktohen nga ligji ose nga zakonet e mira. Ai nuk mund t’u krijojë fqinjëve shqetësime të tilla si zhurma, dridhje, futje të tymit, nxehtësive, avujve ose përhapje të tjera të ngjashme, të pengojë gëzimin e pronave të tyre, duke ndryshuar rrjedhat, prurjet ose cilësinë e ujërave që rrjedhin në tokën e tij ose të ujërave nëntokësorë, si dhe të përdorë ujërat që komunikojnë lirisht me ato të tokës së tjetrit, përveç kur këto shqetësime nuk kalojnë shkallën e zakonshme të tyre.
    Pronari gjatë ushtrimit të të drejtave të tij, detyrohet të marrë masa për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit për rreth.

  • Neni 160
  • Pronarët duhet t’u përmbahen rregullave të caktuara në planet rregulluese ose në dispozita të veçanta, për ngritjen e ndërtesave të reja, për rindërtimin ose ndryshimin e tyre, për largësitë ndërmjet ndërtesave, për çeljen e dritareve, puseve, gropave e të punimeve të tjera të kësaj natyre.

  • Neni 161
  • Pronari është i detyruar të mbledhë ujërat që rrjedhin nga strehët e ndërtesave të tij, në mënyrë që ato të mos pikojnë mbi tokën e tjetrit.
    Derdhja e tyre në një rrjedhë publike mund të bëhet kur nuk ndalohet nga rregullat që kanë caktuar organet kompetente.
    Pronari është i detyruar të kujdeset që ujërat dhe mbeturinat që vijnë nga toka e tij të mos derdhen në kanalin ose në tokën e tjetrit, përveç kur ndërmjet tyre ka marrëveshje të kundërt.