Fitimi me mirëbesim i sendeve të luajtshme

  • Neni 166
  • Personi që në bazë të një veprimi juridik për kalimin e pronësisë ka fituar kundrejt shpërblimit me mirëbesim një send të luajtshëm, bëhet pronar i këtij sendi edhe sikur tjetërsuesi të mos ishte disponues i tij.
    Megjithatë fituesi, qoftë edhe me mirëbesim, nuk bëhet pronar i sendit kur ky është i vjedhur.
    Fituesi me mirëbesim bëhet pronar i monedhave dhe i letrave me vlerë tek prurësi, edhe sikur këto t’i jenë vjedhur ose t’i kenë humbur pronarit ose personit juridik publik.
    Dispozitat e mësipërme nuk zbatohen për sendet e luajtshme që janë të shënuara në regjistrat publike.
    Prona fitohet e lirë nga të drejtat e tjetrit mbi sendin, në rast se këto të drejta nuk rrjedhin nga titulli dhe nga mirëbesimi i fituesit.

  • Neni 167
  • Në rast se pronësia mbi një send të luajtshëm u kalon me anë kontratash disa personave, bëhet pronar ai që ka fituar posedimin e sendit me mirëbesim, edhe sikur kontrata të jetë e një date të mëvonshme.