strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SENDET E HUMBURA OSE TË GJETURA

  • Neni 182 - Njoftimi për gjetjen
  • Personi që ka gjetur një send të humbur, duke përfshirë edhe gjënë e gjallë të shkëputur nga tufa, është i detyruar të lajmërojë menjëherë pronarin ose personin që i ka humbur dhe kur ky nuk njihet, ta dorëzojë atë në bashkinë apo komunën, në territorin e së cilës është gjetur sendi.
    Bashkia ose komuna është e detyruar të shpallë menjëherë gjetjen e sendit.

  • Neni 183 - Marrja e sendit dhe pagimi i shpenzimeve
  • Pronari ose personi, të cilit i ka humbur sendi, ka të drejtë ta kërkojë atë brenda gjashtë muajve nga dita që është shpallur gjetja në bashkinë apo komunën përkatëse, pasi të ketë paguar shpenzimet e bëra për ruajtjen e sendit dhe një shpërblim për personin që ka gjetur sendin në masën 10% të vleftës së sendit, ose të çmimit të marrë, kur sipas rrethanave të paraqitura, shitja e tij ka qenë e domosdoshme.
    Kur ka kundërshtime për vleftën e sendit, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata.
    Bashkia ose komuna mund të lejojë mbajtjen përkohësisht të sendit nga personi që e ka gjetur, të cilit i paguhen dhe shpenzimet e bëra për ruajtjen e sendit.
    Sendet e humbura duhen të ruhen dhe të mirëmbahen me kujdesin e duhur.

  • Neni 184 - Fitimi i pronësisë nga personi që ka gjetur sendin
  • Kur pronari ose personi që e ka humbur sendin nuk paraqiten për ta marrë atë brenda afatit të caktuar në nenin 183, sendi ose çmimi i shitjes i kalon në pronësi personit që e ka gjetur, i cili paguan shpenzimet e mbajtjes.

  • Neni 185 - Sendet e gjetura në lokal
  • Sendet e gjetura në lokalet publike e private e në mjetet e transportit, duhen t’i dorëzohen menjëherë administratës së lokalit ku janë gjetur, e cila i ruan ato tri ditë. Kur nuk paraqitet pronari ose personi që i ka humbur, administrata i dorëzon ato në bashki apo në komunën përkatëse.

  • Neni 186 - Thesari
  • Quhet thesar çdo send i çmueshëm, i cili duket me saktësi se ka qenë në tokë ose i fshehur prej shumë kohësh dhe që nuk mund t’i gjendet pronari.
    Thesari i përket pronarit të sendit të luajtshëm apo të paluajtshëm ku është gjetur, përveç rasteve të sendeve me vlerë shkencore, kulturore, arkeologjike etj., të parashikuara nga neni 187 i këtij Kodi.
    Personi që zbulon thesarin ka të drejtën e një shpërblimi të arsyeshëm që nuk duhet të kalojë gjysmën e vlerës së tij.

  • Neni 187 - Pronësia e shtetit mbi një kategori sendesh të luajtshme
  • Sendet e luajtshme, me vlerë kulturore, historike, arkeologjike, etnografike, si dhe sendet natyrore të rralla me rëndësi shkencore që zbulohen, shkëputen ose nxirren nga toka ose uji, kalojnë në pronësi të shtetit.
    Pronari, në pronën e të cilit janë zbuluar sende të tilla, është i detyruar të lejojë kryerjen e gërmimeve, duke u shpërblyer dëmet e pësuara.
    Personi që ka zbuluar ose ka gjetur sende të tilla, ka të drejtë të marrë nga shteti një shpërblim të arsyeshëm.

  • Neni 188 - Fitimi i pronësisë me anë pushtimi
  • Pronësia mbi sendet e luajtshme të abandonuara, si dhe mbi kafshët e egra, shpendët, peshqit, frutat e egra dhe mbi sendet e tjera të luajtshme të natyrës, fitohet me anë pushtimi, në kushte të caktuara me ligj ose në dispozita të veçanta.

  • Neni 189 - Tufa e bletëve
  • Pronari i një tufe bletësh ka të drejtë ta ndjekë e ta marrë atë në tokën e tjetrit, duke shpërblyer dëmin e shkaktuar.
    Kur pronari i bletës së ikur nuk e ka ndjekur atë brenda tri ditëve, ose kur ajo ka hyrë në një zgjua bletësh tjetër, pronësia mbi atë i kalon përkatësisht pronarit të tokës ku ka qëndruar bleta ose pronarit të zgjoit.

  • Neni 190 - Fitimi i pronësisë me anë shpronësimi
  • (Ndryshuar fjalia e parë me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 22)

    Sendet mund të shpronësohen vetëm për interesa publike të njohur me ligj dhe vetëm kundrejt një shpërblimi të drejtë. Ato kalojnë në pronësi të shtetit ose të enteve të tjera publike, në favor të të cilave është bërë shpronësimi.

  • Neni 191 - Humbja e pronësisë
  • Pronësia humbet kur fitohet nga një tjetër ose kur hiqet dorë prej saj.
    Heqja dorë nga pronësia mbi pasuritë e paluajtshme në dobi të një tjetri, është e vlefshme kur bëhet me akt noterial e regjistrohet.