strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - REGJISTRIMI I PASURIVE TË PALUAJTSHME

  • Neni 192
  • Sendet e paluajtshme dhe faktet që kanë lidhje me gjëndjen juridike të tyre regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtëshme.
    Regjistrimi bëhet në bazë të një akti publik, të një vendimi gjykate apo të një organi tjetër shtetëror kompetent, si dhe në rastet e tjera të parashikuara nga ligji.

  • Neni 193
  • Duhet të regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme:
    a) kontratat për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme dhe aktet për pjestimin vullnetar të tyre;
    b) kontratat me të cilat krijohen, njihen, ndryshohen ose pushojnë të drejta pronësie mbi sendet e paluajtshme, të drejta uzufrukti, përdorimi e bujtjeje, emfiteoze e servituti e të drejta të tjera reale;
    c) aktet me të cilat hiqet dorë nga të drejta pasurore të mësipërme;
    ç) vendimet e gjykatave me të cilat njihet cilësia e trashëgimtarit dhe fitohet pasuria e trashëguar;
    d) aktet me të cilat krijohet një shoqëri ose një subjekt tjetër i së drejtës që ka në pronësi pasuri të paluajtshme ose gëzon të drejta të tjera reale mbi to;
    h) vendimet e gjykatave ose organeve kompetente shtetërore që përkatësisht përmbajnë fitimin ose njohjen e pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, pjestimin e pasurive të paluajtshme ose që deklarojnë të pavlefshme veprimet juridike për kalimin e pronësisë të regjistruar më parë rregullisht, si dhe aktet e përmbarimit gjyqësor për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme ose shitjen në ankant të tyre.

    Vërtetimi gjyqësor i faktit të pronësisë nuk regjistrohet.

  • Neni 194
  • Në kontratën e dhurimit të pasurisë së paluajtshme, regjistrimi merr datën në të cilën regjistrohet pranimi, në rast se ky përmbahet në një akt të veçantë.

  • Neni 195
  • Pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi ato që janë fituar ose njohur sipas dispozitave të këtij Kodi, nuk mund të tjetërsohen dhe kur është rasti, të ngarkohen me barrë, në rast se nuk është bërë regjistrimi i tyre në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

  • Neni 196
  • Gjykatat, noterët, përmbaruesit gjyqësorë dhe organet e tjera shtetërore detyrohen t’i dërgojnë për regjistrim zyrës që administron regjistrin ku ndodhen pasuritë e paluajtshme, kopje të vendimit ose të aktit që përmban fitimin, njohjen, ndryshimin, pushimin e një të drejte pronësie të paluajtshme, ose një të drejte reale mbi atë, ose që deklarojnë të pavlefshme veprime juridike për kalimin e pronësisë të regjistruar më parë.

  • Neni 197
  • Duhen të regjistrohen gjithashtu:
    a) kontratat e qiradhënies së sendeve të paluajtshme për një kohë mbi nëntë vjet;
    b) kërkesë-paditë për fitimin, njohjen, ndryshimin ose pushimin e të drejtave të pronësisë ose të drejtave të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme;
    c) kërkesë-paditë për pjestimin e pasurisë së paluajtshme të përbashkët.

  • Neni 198
  • Ministria e Drejtësisë administron veprimtarinë e regjistrit publik për pasuritë e paluajtshme.
    Kushtet, mënyra e regjistrimit dhe e organizimit, si dhe çdo procedurë që ka lidhje me këtë veprimtari, rregullohet me ligj të veçantë.